Kreu i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale pas publikimit të një renditjeje ndërkombëtare mbi cilësinë e jetesës, ku Shqipëria renditet e 14-ta në botë për cilësinë më të keqe të jetës.
Në postimin e tij në Facebook, Paloka thekson se Shqipëria është i vetmi vend nga hapësira evropiane që figuron në këtë listë, përkrah vendeve si Rusia dhe Ukraina, të cilat ndodhen prej vitesh në luftë. Sipas tij, paradoksi është se edhe në këto shtete “jetohet më mirë se në Shqipëri”.
Duke përdorur tone të forta ironike, deputeti demokrat kritikon apatinë qytetare dhe mungesën e reagimit përballë gjendjes ekonomike dhe sociale në vend.
“Tani hajde të mblidhemi, të hedhim fishekzjarre për ata që na kanë zhytur dorën në xhep dhe shkelmin në fyt. Pastaj ulemi në kafe para televizorit që të ‘tallemi’ pak me ata që protestojnë…”, shkruan Paloka.
Ai shton se, sipas këtij mentaliteti, në fund fajin gjithmonë e mban opozita, ndërsa përgjegjësia politike për gjendjen e vendit shmanget.
Postimi i Palokës vjen në një kohë protestash dhe tensionesh politike, ku opozita kërkon mobilizim qytetar kundër qeverisë, ndërsa përkeqësimi i standardeve të jetesës mbetet një nga shqetësimet kryesore për shqiptarët.
