Avokatja Adriana Kalaja ka deklaruar se është marrë në pyetje nga Byroja Kombëtare e Hetimit në cilësinë e kallëzueses për çështjen “Bankers Petroleum”, ndërsa tha se kallëzimi i saj është bashkuar me dosjen kryesore që po hetohet nga SPAK-u.
Sipas Kalasë, çështja lidhet me një dëm të pretenduar prej 133 milionë eurosh në buxhetin e shtetit. Ajo tha se ka dorëzuar prova për dyshime mbi shpërdorimin e detyrës, korrupsionin, ushtrimin e ndikimit të paligjshëm, pastrimin e parave dhe përfitimin e interesave të paligjshme.
Kalaja akuzoi ish-ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, dhe ish-ministren e Financave, Anila Denaj, se kanë ndërhyrë jashtë kompetencave të tyre për pezullimin ose faljen e detyrimeve tatimore të kompanisë.
“Të dyja ish-ministrat kanë ndërhyrë në kundërshtim me ligjin për pezullimin dhe faljen e një shume të madhe, ndërkohë që këtë kompetencë e ka vetëm Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve”, deklaroi ajo.
Avokatja tha se u ka kërkuar hetuesve të krahasojnë shkresat e Ballukut dhe Denajt me një dokument të mëparshëm të Ministrisë së Financave, gjatë drejtimit të Arben Ahmetajt. Sipas saj, dokumenti i mëparshëm ua linte vendimmarrjen institucioneve tatimore përgjegjëse.
Në kallëzim është përfshirë edhe ministri aktual i Financave, Petrit Malaj. Kalaja pranoi se shkresa e tij mund të jetë korrekte në përmbajtje, por kërkoi të hetohet nëse reagimi institucional është vonuar dhe nëse kjo vonesë i ka shkaktuar shtetit dëme shtesë.
Ajo ngriti pretendime edhe për shitjen e rafinerisë së Ballshit, duke deklaruar se buxhetit të shtetit i mungojnë 21 milionë euro dhe se privatizimi ka sjellë pasoja për qindra punonjës.
Kalaja kritikoi gjithashtu SPAK-un për ecurinë e kallëzimeve të tjera të depozituara prej saj. Ajo tha se disa çështje, përfshirë ato për Teatrin Kombëtar dhe dosjen “184”, vijojnë prej vitesh pa një rezultat përfundimtar.
Akuzat e ngritura nga Kalaja janë pretendime të kallëzueses dhe mbeten objekt verifikimi nga organet e drejtësisë. Personat e përmendur gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
