“Rama si Enveri”/ Berisha: Të bashkohemi më 10 shkurt për t’i dhënë mësimin e merituar narkokracisë së Tiranës

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në protestë më 10 shkurt, duke e cilësuar këtë datë si moment vendimtar për përballjen me qeverinë e Edi Ramës.

Gjatë fjalës së tij para mbështetësve, Berisha e krahasoi kryeministrin me diktatorin komunist Enver Hoxha, duke deklaruar se Rama përfaqëson një formë të re diktature, të ndërtuar mbi drogën dhe korrupsionin.

“Sot Edi Rama nxin siç nxinte dikur diktatori gjakatar Enver Hoxha. Ky është diktatori i drogës i shqiptarëve dhe ndaj shqiptarët duhet t’i rezervojnë të njëjtin fat që i rezervuan diktatorit gjakësor”, u shpreh Berisha.

Ai theksoi se zëri i qytetarëve dhe i opozitës ka tronditur themelet e regjimit aktual dhe se Rama ndodhet sot në momentin më të diskredituar të pushtetit të tij.

“Miqtë e mi, zëri ynë ka tronditur në themel këtë regjim. Edi Rama sot është më i diskredituar se kurrë. Ndaj le të bashkohemi”, tha Berisha, duke ftuar çdo shqiptar që beson te Shqipëria dhe e ardhmja e saj të marrë pjesë në protestë.

Sipas kreut të PD-së, 10 shkurti do të shënojë vazhdimin e asaj që ai e cilësoi si “kryengritje paqësore”, ku qytetarët nga e gjithë Shqipëria janë të ftuar të mbushin rrugët dhe sheshet e Tiranës për t’i dhënë, sipas tij, një mësim të merituar regjimit aktual.

“Qytetarët e Tiranës dhe nga të katër anët e vendit ftohen të zbresin në shesh për t’i thënë leksionin e merituar këtij regjimi antishqiptar”, deklaroi Berisha.

Ai u ndal veçanërisht te roli i të rinjve, duke i cilësuar si forcën vendimtare të ndryshimit dhe shpresën e kombit në momentet më të vështira.

“Kombi sot ka nevojë më shumë se kurrë për të rinjtë dhe të rejat, për guximin dhe trimërinë tuaj. Në të gjitha kohërat, në momentet më kritike, ata kanë qenë shpëtimtarët e vendit”, tha Berisha, duke shtuar se sot Shqipëria pret prej tyre “dritën e fitores”.

Në përfundim, Berisha deklaroi se Edi Rama nuk ka alternativë tjetër përveç dorëheqjes dhe paralajmëroi se qytetarët do të jenë ata që do të vendosin fatin e tij politik.

“Sovrani do t’ju kapë prej zverku. Ndaj le të bashkohemi më 10 shkurt për t’i dhënë mësimin e merituar narkokracisë së Tiranës dhe për t’i përcjellë Shqipërisë dhe botës mesazhin e fitores dhe të triumfit”, përfundoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related