Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza dhe paralajmërime të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke deklaruar se fati i tyre politik dhe penal është tashmë i vulosur.
Gjatë fjalës së tij para mbështetësve, Berisha u shpreh se Rama nuk mund t’i shpëtojë përgjegjësisë për atë që e cilësoi si krime të rënda ndaj vendit dhe se drejtësia popullore, sipas tij, do të veprojë. Ai theksoi se “sovrani”, pra qytetarët, do të jenë ata që do t’i ndëshkojnë.
“Ti që fshihesh pas Lubisë je i pashpresë. Edhe ti edhe lubia do shkoni atje ku e keni vendin. Sovrani do t’ju kapë prej zverku”, deklaroi Berisha, duke shtuar se koha e Ramës dhe Ballukut ka përfunduar.
Në fjalën e tij, kreu i PD-së i bëri thirrje të rinjve dhe të rejave që të angazhohen masivisht në protestën e paralajmëruar për 10 shkurt, duke i cilësuar ata si forca vendimtare në momentet më kritike të historisë së vendit.
“Kombi sot ka nevojë më shumë se kurrë për të rinjtë dhe të rejat. Në të gjitha momentet kyçe të historisë, ata kanë qenë shpëtimtarët e vendit. Sot drita e fitores pritet nga ju”, u shpreh Berisha.
Ai pati gjithashtu një mesazh të drejtpërdrejtë edhe për forcat e rendit, duke i ftuar të mos përplasen me qytetarët gjatë protestave dhe të mos zbatojnë, sipas tij, urdhra të paligjshëm.
“Brenda forcave të rendit ka njerëz të ndershëm dhe profesionistë, por ka edhe individë që e nxijnë uniformën. Ju bëj thirrje të mos zbatoni urdhra që ju vënë përballë qytetarëve. Nuk mbrohet Rama, nuk mbrohet Balluku, nuk mbrohet organizata kriminale”, deklaroi ai.
Berisha e mbylli fjalën me thirrje për mobilizim të plotë më 10 shkurt, duke e cilësuar atë si një moment vendimtar për përballjen me atë që e quan “narkokracia e Tiranës”.
