Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka drejtuar një thirrje të drejtpërdrejtë dhe të ashpër ndaj forcave të rendit, duke u kërkuar të shmangin çdo përplasje me qytetarët dhe të mos bëhen, sipas tij, mburojë e një pushteti që po përpiqet të mbijetojë përmes dhunës dhe provokimeve.
Gjatë fjalës së mbajtur në “Foltoren” para Kryeministrisë, Berisha theksoi se protestuesit nuk janë në shesh kundër policisë, por për të mbrojtur interesin e vendit, familjeve shqiptare dhe vetë efektivëve të rendit, të cilët sipas tij janë po aq të dëmtuar nga korrupsioni dhe keqqeverisja.
“Qytetarët janë këtu edhe për ju, për familjet tuaja, për të ardhmen tuaj. Ata nuk kanë dalë për t’u përballur me policinë, por me ata që vjedhin, grabisin dhe shkatërrojnë Shqipërinë”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD ngriti akuza të forta për përdorimin e provokatorëve gjatë protestave të mëparshme, duke deklaruar se në mesin e efektivëve ishin futur persona që kishin për qëllim nxitjen e dhunës dhe tensionit.
“Mos provoni të përsërisni skenarët e mëparshëm. E pamë herën e fundit: kishit futur edhe palaço që hidhnin kanistra gazi mes protestuesve për të ndezur konfliktin”, tha Berisha, duke paralajmëruar se zemërimi qytetar, sipas tij, është i pakontrollueshëm kur provokohet padrejtësisht.
Ai bëri dallimin mes policëve të ndershëm dhe, siç u shpreh, elementëve kriminalë brenda strukturave të rendit.
“Brenda gjirit tuaj ka njerëz të ndershëm, familjarë të shkëlqyer, atdhetarë të flaktë dhe njerëz të ligjit. Por ka edhe kriminelë, trafikantë e kopukë që nxijnë uniformën. Mos zbatoni urdhrat e tyre”, theksoi Berisha.
Sipas tij, policia nuk duhet të vihet në shërbim të një pushteti që po mbron interesat e një grushti njerëzish dhe jo interesin publik.
“Mos u bëni mburojë e atyre që u vjedhin ju, që i kanë shndërruar pasuritë e këtij vendi në pronë private dhe që po zbrazin Shqipërinë nga shqiptarët”, deklaroi kreu i PD-së.
Në një mesazh të pazakontë, Berisha u shpreh se edhe bashkimi i forcave të rendit me protestuesit do të ishte një akt patriotik.
“Nëse në protestën e ardhshme u bashkoheni qytetarëve, do të bëni aktin më patriotik, më të mençur dhe më atdhetar të jetës suaj”, u shpreh ai.
Berisha nënvizoi se nuk ka asnjë arsye për të mbrojtur, sipas tij, drejtuesit e korruptuar të qeverisë.
“Nuk mbrohet Edi Rama, nuk mbrohet Belinda Balluku, nuk mbrohen hajdutët dhe nuk mbrohet organizata kriminale. Ata janë në fundin e tyre”, tha ai.
Në përfundim, Berisha u bëri thirrje qytetarëve për mobilizim të plotë në ditët në vijim, duke e cilësuar momentin aktual si vendimtar për fatin e vendit.
“Të shkojmë në çdo derë, në çdo familje, në çdo zemër. T’i dalim zot Shqipërisë, dinjitetit tonë dhe familjes shqiptare. Jemi drejt fitores dhe këtë fitore e duam me të gjithë shqiptarët”, përfundoi ai.
