Shtetet e Bashkuara njoftuan të hënën për një ndihmë shtesë prej gati 6 miliardë dollarësh për Ukrainën. Presidenti Joe Biden po përdor javët e tij të fundit në detyrë për të rritur ndihmën për Kievin përpara se Presidenti i zgjedhur Donald Trump të fillojë punë.
Presidenti Biden njoftoi për dhënien e 2.5 miliardë dollarëve ndihmë për sigurinë e Ukrainës. Ndërkohë Sekretarja e Thesarit Janet Yellen tha se Shtetet e Bashkuara kanë vënë në dispozicion 3.4 miliardë dollarë shtesë për ndihmë për buxhetin e Ukrainës, duke i dhënë vendit të shkatërruar nga lufta burime kritike mes intensifikimit të sulmeve ruse ndaj civilëve dhe infrastrukturës ukrainase.
Njoftimi i Presidentit Biden përfshin 1.25 miliardë dollarë ndihmë ushtarake të marrë nga rezervat e Shteteve të Bashkuara dhe një ndihmë tjetër prej 1.22 miliardë dollarësh nga Iniciativa e Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës (USAI), pjesa përfundimtare e USAI-t gjatë kohës së zotit Biden në detyrë.
Sipas iniciativës USAI, pajisjet ushtarake blihen nga industria e mbrojtjes ose partnerët, në vend që të merren nga rezervat amerikane, që do të thotë se mund të duhen muaj ose vite për të mbërritur në fushën e betejës.
Po bëhen gati tre vjet nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë dhe së fundmi rusët kanë përdorur trupat e Koresë së Veriut për të forcuar pozicionin e tyre luftarak.
Trupat koreano-veriore po përjetojnë humbje të mëdha në fushën e betejës, me 1000 trupa të tyre të vrarë ose të plagosur vetëm gjatë javës së fundit në rajonin Kursk të Rusisë, tha javën e kaluar zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.
Presidenti Biden tha se ndihma e re do t’i sigurojë Ukrainës “një fluks të menjëhershëm të ndihmave që ajo vazhdon t’i përdorë me sukses të madh në fushën e betejës dhe furnizime afatgjata të mbrojtjes ajrore, artilerisë dhe sistemeve të tjera kritike të armëve”.
Gjatë luftës gati tre vjeçare, Uashingtoni ka dhënë ndihmë për Ukrainën me vlerë prej miliarda dollarësh, por është e pasigurt nëse kjo do të vazhdojë me të njëjtin ritëm nën zotin Trump, i cili zëvendëson Presidentin Biden më 20 janar. Presidenti i zgjedhur Trump ka thënë se dëshiron t’i jap fund luftës me shpejtësi.
