“Rama po ju përdor si lolo” – Berisha thirrje për protestë: Më 20 shkurt, përgjigje frontale qeverisë

Data

Seanca plenare u dominua sërish nga debatet për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ndërsa opozita kërkoi autorizimin e menjëhershëm për arrestimin e saj. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi mazhorancën se ka kthyer Kuvendin në “mburojë të korrupsionit”, duke përdorur shumicën parlamentare për të bllokuar hetimet.

Nga foltorja, Berisha u shpreh se socialistët po përdoren nga kryeministri për të mbrojtur me ligj, sipas tij, “vjedhjet dhe abuzimet”, ndërsa paralajmëroi se nisma për ndalimin e pezullimit nga detyra të kryeministrit dhe ministrave përbën cenim të barazisë para ligjit.

Ai pretendoi gjithashtu se përfaqësues të mazhorancës, në takimet me delegacionin e Parlamentit Europian, nuk kanë guxuar të mbrojnë publikisht qëndrimin për Ballukun, duke e cilësuar këtë si provë të mungesës së argumenteve.

Berisha kritikoi edhe ndryshimet e propozuara në ligjin për qeverisjen elektronike, duke akuzuar qeverinë për favorizime në tendera, ndërsa në përfundim të fjalës u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës së opozitës më 20 shkurt, në orën 18:00, në Tiranë.

Nga ana tjetër, mazhoranca u shpreh e vendosur për të vijuar me nismën ligjore, duke argumentuar se bëhet fjalë për garantimin e funksionimit normal të institucioneve dhe respektimin e ndarjes së pushteteve. Debatet pritet të vijojnë edhe në seancat e ardhshme, ndërsa çështja e imunitetit mbetet në qendër të përplasjes politike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related