Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump dhe një nga figurat kyçe të përfshira në nismën e Bordit të Paqes, mbajti fjalën e tij gjatë takimit inaugurues në Uashington, duke theksuar vizionin afatgjatë të planit amerikan për stabilitetin në rajon.
Në deklaratën e tij, Kushner u shpreh se megjithëse e shkuara nuk mund të ndryshohet, ekziston një mundësi reale për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ideve të reja.
“Nuk mund ta ndryshojmë të shkuarën, por ajo që shohim sot është potenciali për të ndryshuar të ardhmen, nëse përqendrohemi ta zhvillojmë në mënyrën e duhur,” deklaroi ai.
Kushner theksoi se iniciativa e Bordit të Paqes nuk është e motivuar nga përfitime personale apo interesa të ngushta politike, por nga dëshira për të garantuar një të ardhme më të sigurt për brezat që vijnë.
“Shumica nuk janë këtu për ndonjë përfitim personal, por për fëmijët dhe nipërit e tyre. Ata duan të shohin paqe,” u shpreh ai.
Sipas Kushner, ide që dikur konsideroheshin radikale për arritjen e paqes, sot po shihen si të realizueshme falë ndryshimeve në klimën ndërkombëtare dhe gatishmërisë së shteteve për bashkëpunim.
“Kur njerëzit nga e gjithë bota bashkohen, paqja është e mundur. Sot ka më shumë besim se bota mund të jetë më e mirë,” përfundoi ai.
