Deputetja e Partia Demokratike e Shqipërisë, Jozefina Topalli, ka kritikuar në Kuvend Paketën e Maleve dhe projektin “Porta e Alpeve”, duke e cilësuar atë një nismë pa transparencë dhe me rrezik për konflikte pronësie.
Gjatë fjalës së saj, Topalli deklaroi se projekti po paraqitet si zhvillim për zonat malore, por sipas saj mungojnë kriteret publike dhe qartësia mbi mënyrën e shpërndarjes së fondeve.
“Paketa e Maleve përpiqet të shitet si zhvillim, por ngjan më shumë me projekte pa transparencë, pa kritere dhe me rrezik të madh për konflikte pronësie”, tha ajo.
Deputetja ngriti pikëpyetje edhe për shpërndarjen e investimeve, duke pretenduar se fondet që prezantohen për zonat alpine po përfundojnë në zona bregdetare.
Sipas Topallit, mungesa e informacionit të detajuar mbi projektin krijon terren për favorizime dhe klientelizëm politik.
“Kur një projekt nuk ka kritere publike, atëherë hapet dera për favorizime, grabitje pronash dhe klientelizëm”, deklaroi ajo.
Topalli shtoi se nuk ka transparencë mbi ndarjen e fondeve mes qarqeve të Lezhë dhe Shkodër, duke pyetur se kush do të përfitojë realisht nga projekti.
“Në këtë vend edhe malet nuk ndjekin më natyrën, por klientin”, u shpreh deputetja demokrate.
Në përfundim të fjalës së saj, Topalli deklaroi se fondet e projektit “Porta e Alpeve” rrezikojnë të shpërdorohen.
“Jam e bindur se paratë që ju i quani me emrin e bukur ‘Porta e Alpeve’ do të bëhen rrush e kumbulla”, tha ajo.
