Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të punojnë ngushtësisht me Organizatën e Kombeve të Bashkuara, duke theksuar se Bordi i Paqes synon ta forcojë rolin dhe funksionimin e saj në arenën ndërkombëtare.
Gjatë fjalës së tij para liderëve të pranishëm, Trump u shpreh se OKB-ja ka një potencial shumë të lartë, por sipas tij, ky potencial nuk është shfrytëzuar plotësisht deri më tani. Ai theksoi se përmes Bordit të Paqes do të krijohen kushte që organizata të bëhet më efektive dhe më e fuqishme në menaxhimin e konflikteve globale.
“Do të punojmë ngushtësisht me OKB-në. Ka potencial të madh dhe duhet ta arrijë atë. Bordi i Paqes do të ndihmojë që kjo të funksionojë”, deklaroi Trump.
Ai shtoi se SHBA është e gatshme të kontribuojë financiarisht nëse është e nevojshme, për të siguruar që OKB-ja të ketë ambientet dhe burimet e duhura për të përmbushur misionin e saj. Sipas tij, në organizatë ka njerëz shumë të mirë dhe me kapacitete të larta.
Në fund të fjalës, Trump falënderoi liderët pjesëmarrës, duke i quajtur “miqtë e mi” dhe duke theksuar se është i gatshëm t’i ndihmojë në çdo kohë. Ai e cilësoi Bordin e Paqes si një mekanizëm të ri dhe të paprecedentë për promovimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
