Rama për protestat: “Kush më është vënë pas, pas do më ketë. Nuk pranoj sharlatanë të më tregojnë si bëhet Shqipëria”

Data

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestat që po zhvillohen në Tiranë, duke deklaruar se i konsideron ato një burim reflektimi, por se nuk pranon, sipas tij, “sharlatanë apo hipokritë” që t’i tregojnë se si duhet të drejtohet vendi.

Në podcastin “Flasim”, Rama tha se protesta përmban zëra dhe motive të ndryshme, duke theksuar se jo të gjithë pjesëmarrësit ndodhen aty për të njëjtat arsye.

“Është protesta që më intereson, që më zemëron dhe njëkohësisht më motivon të vazhdoj punën time. Nuk më zemëron protesta e shtirur apo e rreme, ajo më neverit. Nëse nuk do të isha në këtë detyrë, ndoshta do të isha edhe vetë në protestë. E ndjej zemërimin e atyre që kanë halle reale”, u shpreh kryeministri.

Rama shtoi se një pjesë e pjesëmarrësve ndikohen nga faktorë të ndryshëm, përfshirë rrjetet sociale, influencuesit, impulset nacionaliste apo manipulimet, ndërsa të tjerë, sipas tij, protestojnë për shkak të problemeve konkrete që përjetojnë.

“Jo çdokush është në protestë për të njëjtën arsye. Ka njerëz që nuk i çojnë aty ‘like’-et, influencerët, impulset e verbra nacionaliste apo manipulimet, por hallet që kthehen në zemërim dhe më pas shpërthejnë në protestë”, deklaroi ai.

Duke folur për kritikat ndaj qeverisë, Rama theksoi se ndjek çdo mesazh që i dërgohet, por shtoi se do t’u përgjigjet publikisht atyre që e sulmojnë.

“Çdo mesazh që më vjen në telefon e ndjek. Kush më është vënë pas, pas do të më ketë, në aspektin e debatit. Por nuk pranoj që çdo sharlatan, njeri i futur nga të tjerë apo hipokrit, të marrë mikrofonin dhe të më tregojë se si bëhet Shqipëria. Këtë nuk e pranoj”, përfundoi kryeministri.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related