Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj protestave që po zhvillohen prej 29 ditësh në Tiranë, duke kritikuar ashpër qëndrimet e protestuesve lidhur me librin “The Albanian Files”.
Në episodin e radhës të podcastit “Flasim”, Rama i cilësoi reagimet ndaj botimit si një “inkuizicion”, duke thënë se ato kanë dalë nga klima e krijuar prej protestës dhe se, sipas tij, ngjasojnë me praktikat e Revolucionit Kulturor Kinez.
“Ka nisur një inkuizicion lidhur me librin, që buron nga fryma e bulevardit, ku protesta e filluar për natyrën ka krijuar shumë degë të tjera. Një prej tyre është dega inkuizicionale, që përndjek me akuza dhe shpifje një nga grupet më të rëndësishme të arkitektëve që i janë qasur Shqipërisë dhe historisë së saj”, u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit, “The Albanian Files” është një projekt editorial i pavarur dhe jo një botim i kontrolluar prej tij.
“‘The Albanian Files’ është vënë në shënjestër nga një inkuizicion jo intelektual, por revolucionar. Nuk është libri im. Unë kam dhënë vetëm një tekst parathënës, gjë për të cilën jam krenar. Është një projekt tërësisht i pavarur”, tha ai.
Rama shtoi se kritikat ndaj një teksti satirik të përfshirë në libër janë të ekzagjeruara dhe të pabazuara.
“T’i qepesh një botimi të tillë, si në kohën e Revolucionit Kulturor Kinez, dhe të kapesh pas një teksti ironik të një arkitekti, ky është kulmi”, deklaroi kryeministri.
