“Bashkimi Evropian është një standard, jo një flamur.” Me këtë mesazh, organizata Demokratët Europianë ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me debatin për integrimin europian dhe protestat qytetare në Shqipëri.
Në reagimin e tyre, ata theksojnë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk lidhet me simbolikë politike apo retorikë publike, por me funksionimin e shtetit të së drejtës, institucioneve dhe llogaridhënies.
“Në ditën e dhjetë të protestave, sheshet e Shqipërisë bënë më shumë sesa thjesht bërtitën: ato shpjeguan. Një pankartë na bëri përshtypje: ‘Bashkimi Evropian është një standard, jo një flamur.’ Pikërisht”, thuhet në postimin e organizatës.
Sipas Demokratëve Europianë, vlerat europiane përfaqësohen nga media të lira, institucione të pavarura, drejtues që mbajnë përgjegjësi dhe një sistem drejtësie që zbaton ligjin në mënyrë të barabartë.
“Evropa nuk është dekor për fjalime apo sfond për pushtet. Janë media të lira, institucione të pastra, udhëheqës të përgjegjshëm dhe gjykata që i përgjigjen ligjit, jo pallateve”, vijon reagimi.
Në përfundim, organizata shprehet se kur standardet europiane nuk respektohen, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë rikthimin e institucioneve në funksion të ligjit, transparencës dhe llogaridhënies.
“Kur një qeveri e trajton atë standard si teatër, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë rikthimin e skenës”, thuhet në deklaratën e Demokratëve Europianë.
