Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me shembjen e segmentit rrugor Librazhd–Prrenjas, duke theksuar se ngjarja nuk ka asnjë lidhje me korrupsionin.
Sipas tij, rrëshqitja e dherave është pasojë e gjeologjisë së vështirë të zonës dhe reshjeve intensive të këtij dimri. Rama sqaroi se rrëshqitja ka prekur rrugën e vjetër dhe jo aksin e ri.
Ai theksoi se terreni malor në zonë është i ndjeshëm dhe se situata të ngjashme kanë ndodhur edhe në vende të tjera për shkak të kushteve atmosferike.
Kreu i qeverisë bëri me dije se ARRSH ka ndërhyrë menjëherë me masa emergjente, ndërsa Policia e Shtetit është e pranishme 24 orë për të garantuar sigurinë. Po ashtu, puna për hapjen e një rruge alternative vijon pa ndërprerje, ndërsa synimi është stabilizimi i plotë i zonës për të shmangur përsëritjen e problemit.
