Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë lidhur me valën e fundit të ndryshimeve në qeveri, gjatë podcastit të tij “Flasim”, ku u ndal edhe te largimi i ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Rama tha se gjatë mbledhjes së zgjeruar mujore të grupit parlamentar socialist u zhvillua një diskutim i detajuar mbi ecurinë e punës në disa sektorë, ku ministrat përkatës raportuan për rezultatet.
Ai theksoi se ndryshimet në kabinet ishin pjesë e një qasjeje të re, për të cilën kishte folur që në fillim të mandatit, duke bërë krahasimin mes ndryshimeve në një skuadër futbolli dhe në një skuadër basketbolli.
Sipas tij, lëvizjet në qeveri ishin të parapara në planin e ri të kompozimit të kabinetit, por shtoi se nëse rrethanat do të kishin qenë të ndryshme, nuk do të ishte ndryshuar një ministre që, sipas tij, kishte arritur rezultate të jashtëzakonshme në punë.
Rama u shpreh se për raportin mes politikës dhe drejtësisë do të flasë më gjerësisht pasi të ketë lexuar raportin e Këshillit të Mandateve, duke rezervuar një koment më të detajuar për një moment të mëvonshëm.
