Policia e Tiranës ka zbardhur një ngjarje të rëndë grabije me dhunë, e ndodhur mëngjesin e 13 dhjetorit në zonën e njohur si “Kthesa e Kamzës”, ku tre persona dhunuan fizikisht shitësin e një biznesi dhe i grabitën 100 mijë lekë të rinj.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Reaction”, është arrestuar Marash Aliaj, 33 vjeç, ndërsa janë shpallur në kërkim Elton Hunda, 35 vjeç dhe Genc Logu, 34 vjeç.
Sipas policisë, tre autorët vepruan në bashkëpunim, duke ushtruar dhunë fizike ndaj shitësit të një tabachinoje dhe më pas i morën paratë. Gjatë arrestimit, Marash Aliaj ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë në rrugën “Sabaudin Gabrani”.
Autoritetet bëjnë me dije se të tre shtetasit kanë precedent të theksuar kriminal, kryesisht për krime kundër personit dhe pronës.
Policia po vijon hetimet për të zbardhur nëse të dyshuarit janë të përfshirë edhe në ngjarje të tjera kriminale, ndërsa po punohet intensivisht për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim.
