Grabiti bankën në Tiranë, Gjykata lë në burg 59-vjeçarin; mbrojtja kërkon ekspertizë psikologjike

Data

Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Bardhyl Fushën, 59-vjeçarin i cili grabiti një shumë të konsiderueshme parash në një filial banke në kryeqytet.

Para trupit gjykues, i dyshuari ka shprehur pendesë për veprimin e kryer, ndërsa avokati i tij, Marash Ndoci, kërkoi një masë më të butë sigurie, duke argumentuar se klienti i tij ndodhej në një gjendje të rënduar financiare dhe psikologjike në momentin e ngjarjes. Mbrojtja i sugjeroi gjykatës që Fushës t’i nënshtrohet një vlerësimi psikologjik për të përcaktuar gjendjen mendore në kohën e kryerjes së veprës.

Sipas avokatit, 59-vjeçari ka vepruar nën presion të fortë financiar, për shkak të borxheve dhe detyrimeve të papaguara ndaj punonjësve të biznesit që administronte. Ai theksoi se subjekti tregtar përballej me vështirësi serioze ekonomike dhe detyrime tatimore, çka, sipas tij, ka ndikuar drejtpërdrejt në gjendjen emocionale të të dyshuarit.

Mbrojtja argumentoi se bëhet fjalë për një akt të izoluar dhe jo për një prirje kriminale të qëndrueshme. Sipas avokatit, nga dinamika e ngjarjes rezulton se Fusha është paraqitur në bankë i pamaskuar, ka lënë automjetin personal të parkuar përpara, nuk ka tentuar të arratiset dhe është dorëzuar menjëherë te forcat e policisë, pa shkaktuar pasoja fizike apo humbje jete.

Ngjarja ndodhi mesditën e 13 shkurtit, kur 59-vjeçari hyri në bankë me armë zjarri në dorë dhe arriti të marrë rreth 8 milionë lekë nën kërcënim. Ai u ndalua nga policia menjëherë pas daljes nga ambientet e bankës.

Pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes, gjykata vendosi të lërë në fuqi kërkesën e prokurorisë për arrest me burg, ndërsa hetimet për rastin vijojnë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related