Rama paralajmëron sqarime për projektin në Zvërnec: Nesër do të flas live për të vërtetat dhe të pavërtetat që po qarkullojnë

Data

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me debatet dhe polemikat e ditëve të fundit për projektin turistik në Zvërnec, duke paralajmëruar një komunikim publik ku do të japë sqarime mbi investimin dhe akuzat që janë ngritur ndaj tij.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se projekti në fjalë është një investim i rëndësishëm për Shqipërinë, për të cilin sipas tij është punuar prej disa vitesh dhe që nuk ka lidhje me pretendimet që po qarkullojnë së fundmi në opinionin publik.

“Nesër e kam radhën unë për të folur për një projekt të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, për të cilin punohet prej disa vitesh tanimë dhe i cili nuk ka asnjë lidhje me disa të pavërteta të mëdha, që janë hedhur në qarkullim ditët e fundit”, shkruan kreu i qeverisë.

Rama përgëzoi gjithashtu drejtuesit e Policisë së Shtetit për reagimin pas incidentit të ndodhur gjatë protestës në Zvërnec, ku disa roje private ushtruan dhunë ndaj protestuesve.

Sipas tij, reagimi ndaj personave të përfshirë në incident dhe ndaj drejtuesve vendorë të policisë në Vlorë ishte i shpejtë dhe i duhur.

“E përgëzoj lidershipin e Policisë së Shtetit për reagimin e shpejtë e të saktë, qoftë ndaj atij grushti muskujsh pa tru me statusin e rojeve private të sigurisë, qoftë ndaj drejtuesve vendorë të policisë së Vlorës,” u shpreh ai.

Kryeministri theksoi gjithashtu se politika e tolerancës zero ndaj çdo punonjësi policie që cenon besimin e qytetarëve duhet të vazhdojë.

Në fund të reagimit të tij, Rama njoftoi se do të zhvillojë një komunikim live nesër në orën 10:00, ku premton të sqarojë publikisht të gjitha aspektet e projektit në Zvërnec dhe debatet që e kanë shoqëruar atë.

“Për vetë projektin dhe të vërtetat e të pavërtetat rreth tij, më shumë nesër në 10:00, live për të gjithë të interesuarit natyrisht,” përfundon mesazhi i kryeministrit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related