Albin Kurti dhe kabineti qeveritar po pretendojnë se janë dorëhequr nga postet ekzekutive qysh më 23 mars. Atë ditë, Qeverisë i përfundoi mandati katërvjeçar. Dorëheqjen, përmes një letre, Kurti ia konfirmoi edhe kryetarit të deritanishëm të Kuvendit, Glauk Konjufca. Por, kjo letër u kontestua nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Duke mos e pranuar dorëheqjen, në këtë formë, deputetët e këtyre partive votuan kundër verifikimit të mandateve të deputetëve dhe rrjedhimisht pamundësuan konstituimin e Kuvendit më 15 prill. Mesditën e 17 prillit, deputetët u mbodhën sërish për vazhdimin e seancës konstituive. Por, ajo sërish nuk prodhoi asnjë rezultat dhe u caktua vazhdimi i saj për 19 prill.
Por, a mjafton kjo mënyrë e dorëheqjes së Kurtit dhe anëtarëve të tjerë të ekzekutivit? Disa njohës të Kushtetutës besojnë se po, edhe pse thonë se Ligji për Qeverinë ka gabime dhe bie ndesh me Kushtetutën.
“Nëse ligji nuk funksionon dhe efektet e ligjit janë shumë të rrezikshme për shoqërinë, atëherë nuk zbatohet ligji, por zgjidhet me praktikat [e kaluara] qeveritare. Çfarë ka ndodhur para këtij rasti, kryeministrat e mëparshëm, si kanë vepruar kur kanë qenë duke ushtruar detyrën? Do të thotë kanë qenë deputetë, kanë votuar për deputetë dhe kanë qenë duke ushtruar detyrën [në Qeveri], ushtrues i detyrës nuk është detyrë [e plotë]”, thotë për Radion Evropa e Lirë, ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu.
Në Ligjin për Qeverinë, në nenin 26, thuhet se kur anëtari i një qeverie në detyrë zgjidhet deputet duhet të japë dorëheqje nga posti i tij qeveritar para ditës së certifikimit të rezultateve. Pra, para 27 marsit. Në gjithë debatin për këtë situatë u përmend si gabim edhe fakti që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka certifikuar si deputetë Kurtin me ministra. Mazllum Baraliu, që më parë e ka udhëhequr këtë institucion, nuk e quan këtë gabim. Sipas tij, ky institucion s’ka kompetencë t’i kërkojë dorëheqje askujt në Qeveri.
