Ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato i ka dhënë një mesazh të fortë politikës shqiptare pasi korrupsioni masiv ka shpërthyer në zyrat e administratës ku sa vjen dhe po “bymehet” pas vjedhjeve galopante, duke çuar një pas një prapa hekurave edhe më të besuarit e kabinetit qeveritar të kryeministrit Edi Rama. Gonzato ka zhvilluar këtë fundjavë në Shkodër një takim me studentët e drejtësisë, ku në fokus ishte reforma në drejtësi dhe presionet e politikës.
Bashkëbisedim me studentët e drejtësisë
Gjatë takimit me studentët e drejtësisë, ambasadori Gonzato shprehet besimplotë ndaj reformës në drejtësi, ku thotë sipas tij, se jo vetëm garanton pavarësinë e sistemit të drejtësisë, por siguron që edhe sistemi i drejtësisë të jetë i përgjegjshëm ndaj qytetarëve. Sipas tij, Shqipëria duhet të luftojë korrupsionin nëse do anëtarësimin në Bashkimin Evropian. “Jam këtu në Shkodër me studentë të drejtësisë për të folur për sistemin e drejtësisë, reformën në drejtësi dhe rolin që ka edhe shoqëria civile për të siguruar që reforma që u ndërmor në vitin 2016 është një reformë që jo vetëm garanton pavarësinë e sistemit të drejtësisë, por siguron që edhe sistemi i drejtësisë të jetë i përgjegjshëm ndaj qytetarëve, sepse qëllimi i reformës ishte pikërisht ai që t’u jepte njerëzve besim, besim te institucioni, besimi veçanërisht te drejtësia e Shqipërisë, sepse kjo është ajo që na duhet për të promovuar një mjedis të shëndetshëm biznesi, të sigurohemi që njerëzit të duan të investojnë në Shqipëri, por edhe të sigurohemi që njerëzit të marrin drejtësinë. Mendoj se është shumë e rëndësishme që, institucioni i posaçëm që u krijua pikërisht për t’u marrë me rastet e nivelit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, tani po sjell disa rezultate. Mendoj se i jep besueshmëri vendosmërisë së Shqipërisë për të luftuar korrupsionin, sepse korrupsioni është i dëmshëm për shoqërinë, është i dëmshëm për ekonominë, kështu që nëse Shqipëria dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, është e qartë rruga që duhet ndjekur. Ky duhet të jetë një nga prioritetet e Shqipërisë dhe duhet të çojë në rezultate konkrete. Pra, e dini, unë kam besim në sistemin e drejtësisë shqiptare. Mendoj se thjesht duhet ta lëmë të bëjë punën e vet dhe të shohim se në çfarë do të sjelle. Shikoni, reforma e 2016-ës synonte konkretisht të garantonte që sistemi i drejtësisë të jetë i pavarur, të jetë i vetëqeverisur dhe prandaj është rezistent dhe elastik ndaj presioneve politike”, deklaroi Gonzato.
Takimi me Dumanin
Sakaq, ambasadori i BE-së është pyetur nga studentët nëse politika shqiptare ushtron presion ndaj kreut të SPAK, Altin Dumanit, duke mos e lejuar që drejtësia e re të bëj punën e saj, atë të “luftës” ndaj korrupsionit. “Ju e dini që unë kam besim në sistemin e drejtësisë shqiptare. Mendoj se thjesht duhet ta lëmë të bëjë punën e vet dhe të shohim se në çfarë do të sjellë. Shikoni, reforma e 2016-ës synonte konkretisht të garantonte që sistemi i drejtësisë të jetë i pavarur, të jetë i vetëqeverisur dhe prandaj është rezistent dhe elastik ndaj presioneve politike. Kështu që unë i diskutova këto gjëra edhe me z. Dumani dhe ai është i bindur, po bën punën e tij dhe mendoj se duhet të qëndrojë i qetë dhe të vazhdojë. A ka presion nga politika? Nuk më takon mua ta them, por ai nuk duket se ishte i shqetësuar për këtë”, u shpreh Gonzato.
Ndihma e BE ndaj SPAK-ut
Ndërkohë javën që shkoi a, ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato ka dhënë një intervistë për “DW”, ku bën të ditur se Bashkimi Evropian ka dhënë ndihma konkrete SPAK-ut në mbështetje për drejtësinë e re, duke asistuar në logjistikë për hetime sa më të thelluara. “Kemi një numër projektesh që mbështesin SPAK-un dhe jo vetëm prokurorët në veçanti, por edhe anën hetimore. Kemi bashkëpunim mes agjencive të BE-së si Europol dhe EuroJust dhe SPAK-ut. Kemi edhe një numër projektesh për ngritje kapacitetesh që përpiqen të shohin jo vetëm SPAK-un, por edhe sistemin e zakonshëm të drejtësisë. Një nga gjërat ku jemi angazhuar është sistemi i menaxhimit digjital të çështjeve. Duket si shumë teknik, por është një sistem që do të mundësonte së pari, ndarjen e çështjeve në një mënyrë krejtësisht neutrale dhe transparente, si dhe do të mundësonte pasjen e statistikave të qarta për performancën e sistemit të drejtësisë dhe si i ndihmon autoritetet të trajtojnë mungesat ekzistuese. Pra, kemi në dispozicion një larmi mjetesh që siç e thashë, shkojnë nga ngritja e kapaciteteve, sigurimi i materialeve, përmirësimi i infrastrukturës në dispozicion të aktorëve të ndryshëm të drejtësisë, dhe sigurisht mbështetja politike që u japim në këtë drejtim”, nënvizoi Gonzato.
