Lamallari për dhunën në Zvërnec: Rojet private dhe kompanitë e tyre duhet të ndiqen penalisht, policia tregoi indiferencë të pajustifikueshme

Data

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar pas incidentit të ndodhur në Zvërnec, ku roje private ushtruan dhunë ndaj qytetarëve që protestonin kundër një projekti turistik në zonë.

Përmes një deklarate publike, Lamallari kërkoi që jo vetëm personat e përfshirë në dhunë, por edhe kompanitë ku ata janë të punësuar, të mbajnë përgjegjësi sipas ligjit.

“Rojet private të pronës nuk kanë asnjë të drejtë të përdorin forcë ndaj askujt. Jo vetëm ata si individë duhet të ndiqen penalisht, por edhe hetimi administrativ ndaj kompanisë së tyre për paaftësi në ushtrimin e aktivitetit duhet të përfundojë sa më shpejt,” u shpreh ministri.

Lamallari sqaroi gjithashtu se projekti në Zvërnec zhvillohet mbi një pronë private, e cila sipas tij është kthyer dhe regjistruar ligjërisht në favor të pronarëve vite përpara ardhjes së qeverisë aktuale në pushtet.

Megjithatë, ai theksoi se statusi i pronës nuk justifikon në asnjë mënyrë përdorimin e forcës ndaj qytetarëve.

Ministri vlerësoi reagimin e shpejtë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për pezullimin e drejtuesve vendorë dhe nisjen e hetimeve ndaj zinxhirit komandues të Policisë së Vlorës, por kritikoi ashpër sjelljen e efektivëve të pranishëm në vendngjarje.

“Jo vetëm sjellja skandaloze e rojeve private ishte e papranueshme, por edhe indiferenca e pajustifikueshme e policisë që ndodhej aty,” deklaroi ai.

Sipas Lamallarit, procesi i verifikimit dhe goditjes së shkeljeve brenda strukturave policore do të vazhdojë, duke përmendur rastet e fundit në Vlorë dhe Sarandë si pjesë e një qasjeje të re ndaj përgjegjshmërisë institucionale.

Ngjarja në Zvërnec ka shkaktuar reagime të shumta politike dhe institucionale. Një roje private është arrestuar, dy të tjerë janë nën hetim, ndërsa është hapur hetim disiplinor për zinxhirin komandues të Policisë së Vlorës lidhur me menaxhimin e protestës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related