Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar tonet ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë fjalës së tij në protestën e organizuar para Kryeministrisë, duke deklaruar se opozita ka arritur ta “demaskojë” qeverinë para opinionit publik vendas dhe ndërkombëtar.
Berisha tha se protesta ishte një “kryengritje paqësore” që, sipas tij, i tregoi botës realitetin politik në Shqipëri. Ai akuzoi Ramën për përdorim të pushtetit për korrupsion dhe lidhje me krimin, ndërsa theksoi se opozita është e vendosur për ta larguar nga qeverisja.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit politike dhe reagimeve ndërkombëtare, Berisha shtoi se ndryshimet ligjore të paralajmëruara nga mazhoranca synojnë, sipas tij, të mbrojnë qeverinë nga drejtësia.
“Do të veprojë populli mbi ta,” u shpreh ai, duke paralajmëruar për vijimin e protestave dhe aksionit opozitar në ditët në vijim.
