Avokati Gylsen Zhllima ka komentuar çështjen që lidhet me zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për përdorim të dy standardeve dhe manipulim të procedurave për t’i shmangur përgjegjësisë politike dhe ligjore.
I ftuar në një emision televiziv, Zhllima u shpreh se nëse Rama nuk do të kishte probleme reale me këtë çështje, do ta kishte lënë Ballukun përballë drejtësisë pa pengesa. Sipas tij, përdorimi i procedurave si justifikim tregon frikë dhe tentativë për zvarritje.
“Sot kemi dy standarde nga zoti Rama për çështjen Balluku. Nëse ai nuk do të kishte probleme, do ta kishte lëshuar me kohë Ballukun, por përdor procedurat si mburojë”, u shpreh avokati.
Zhllima theksoi se në këtë rast po hetohet edhe pushteti ekonomik, të cilin e cilësoi si hallkën më të ndjeshme të korrupsionit, ndërsa akuzoi kryeministrin se po përpiqet të shfaqet si viktimë.
“Zoti Rama po shpik procedura dhe po merr rolin e viktimës. Edhe kur ‘i ka rënë zjarri në shtëpi’, ai del para publikut si i persekutuar. Kjo është një formë riviktimizimi e vazhdueshme që nga viti 2017”, tha Zhllima.
Sipas tij, një lider nuk mund të paraqitet vazhdimisht si viktimë kur rreth tij shfaqen vazhdimisht probleme, hetime dhe bashkëpunëtorë të përfshirë në skandale.
“Nëse të kanë kapur tre shokë dhe ti je shoqëruar me dhjetë të tillë, duhet të rishohësh veten. Ai del në publik për të pastruar prapaskenat dhe sillet sikur nuk jeton në Shqipëri”, shtoi avokati.
Në fund, Zhllima kritikoi kontradiktat në qëndrimet publike të kryeministrit, duke theksuar se retorika për drejtësinë ndryshon sipas interesit politik të momentit.
