Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave për koncertin e reperit amerikan Kanye West, i zhvilluar një natë më parë në Tiranë, duke mbrojtur organizimin e eventit dhe duke argumentuar se investimet në aktivitete të tilla kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Në një deklaratë publike, Rama tha se koncerti u shndërrua në objekt sulmesh dhe kritikash, të cilat i cilësoi si të nxitura nga demagogjia dhe keqkuptimi mbi mënyrën se si funksionon zhvillimi ekonomik.
“Ngjarja u bë një motiv ndasie shumë të egër, ku një furi dhune dhe marrëzie u lëshua kundër një koncerti. Prej vitesh, sa herë jam përpjekur të bëj diçka të bukur, kam dëgjuar të njëjtin refren: ‘Populli s’ka bukë’, ‘s’na duhen fasadat’, ‘pensionistët po vdesin’, ‘varfëria është në kulm’, ‘s’duam koncerte’. Pas klithmës së kundërshtisë fillojnë llogaritë absurde se me ato para mund të bëhej kjo apo ajo,” u shpreh kryeministri.
Sipas Ramës, argumenti se fondet e përdorura për aktivitete kulturore u hiqen kategorive në nevojë nuk qëndron.
“Në pamje të parë kjo qasje duket sikur ka logjikë, por në të vërtetë është një keqkuptim themelor për mënyrën se si zhvillohet një vend dhe rritet ekonomia. Zhvillimi nuk është një bukë me madhësi fikse, ku çdo euro që shkon për një koncert i hiqet një pensionisti, një të sëmuri apo një nxënësi. Zhvillimi është aftësia për ta bërë atë bukë më të madhe, në mënyrë që më pas të ketë më shumë për të gjithë,” deklaroi ai.
Koncerti i Kanye West është shoqëruar me debate të forta politike dhe publike, pasi financimi i tij me fonde publike është kundërshtuar nga opozita dhe është bërë objekt kritikash edhe nga organizata dhe media të ndryshme.
