Rama i përgjigjet Alexis Tsipras për Zvërnecin: Po shpërfillni faktet, një incident i izoluar nuk mund të kthehet në çështje politike apo etnike

Data

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka drejtuar një mesazh publik ish-kryeministrit grek Alexis Tsipras, pas reagimeve të ardhura nga forca politike e këtij të fundit lidhur me ngjarjet e ndodhura në Zvërnec.

Në reagimin e tij, Rama shprehet i habitur që partia e re e Tsipras ka kontribuar në shndërrimin e një incidenti të izoluar në një çështje me peshë më të gjerë politike, duke neglizhuar, sipas tij, faktet e konfirmuara dhe duke u mbështetur në interpretime të pjesshme.

“Shpërfillët faktet e konfirmuara dhe vutë theksin mbi gjysmë të vërteta, të cilat shpesh janë forma më mashtruese e pavërtetësisë, sidomos kur marrin edhe ngjyrime nacionaliste”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare argumenton se incidenti në Zvërnec nuk lidhej me një protestë të zakonshme për të drejtat e pronës, por ndodhi në një klimë tensioni të nxitur, sipas tij, nga dezinformimi dhe përpjekjet për të penguar aktivitetin e investitorëve privatë që operojnë në prona private të blera ligjërisht.

Rama thekson se institucionet shqiptare reaguan menjëherë pas ngjarjes, duke arrestuar personat e përfshirë, hequr licencën e kompanisë private të sigurisë dhe shkarkuar drejtuesin e Policisë së Vlorës.

“Çfarë më tepër prisnit, Alexis, dhe çfarë masash shtesë do të kishe marrë ti si kryeministër në këto rrethana?”, pyet Rama në letrën e tij.

Ai kundërshton gjithashtu pretendimet se ngjarja përbën provë të shkeljes së të drejtave të minoritetit grek, të drejtave të pronës apo të shtetit të së drejtës, duke i cilësuar këto interpretime si të padrejta dhe të papërgjegjshme.

Sipas Ramës, respektimi i shtetit të së drejtës dhe mbrojtja e pakicave kombëtare janë pjesë e angazhimeve kushtetuese dhe europiane të Shqipërisë dhe nuk mund të gjykohen mbi bazën e deklaratave politike.

Duke iu referuar Pakica Kombëtare Greke në Shqipëri, Rama theksoi se ajo përbën një vlerë të rëndësishme për vendin dhe gëzon të drejtat e garantuara nga ligji, në të njëjtin nivel me të gjithë qytetarët shqiptarë.

Në përfundim të mesazhit, kryeministri shqiptar i bëri thirrje Tsipras që marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë të mbështeten mbi fakte, respekt institucional dhe jo mbi spekulime politike apo retorikë nacionaliste.

“Europa ka nevojë për më pak reflekse të së kaluarës dhe më shumë besim te faktet, institucionet dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, përfundon mesazhi i Ramës drejtuar ish-kryeministrit grek.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related