Julian Hoxha për Zvërnecin: Rama po merr një përgjigje që nuk e priste, propaganda nuk po mbulon më pakënaqësinë e qytetarëve

Data

Gazetari Julian Hoxha ka komentuar zhvillimet e fundit në Zvërnec dhe reagimet që pasuan protestat kundër projekteve të ndërtimit në zonat e mbrojtura, duke kritikuar qasjen e qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama.

Në një intervistë televizive, Hoxha deklaroi se kreu i qeverisë po përballet me një reagim qytetar që, sipas tij, nuk e kishte parashikuar.

“Kryeministri ka një ndjesi të veçantë kur vjen puna te Vlora dhe prej kohësh po merr një përgjigje që nuk e ka pritur. Rama është munduar të bëjë shumë propagandë, por në të vërtetë qytetarët kanë parë më pak punë dhe më shumë probleme”, u shpreh gazetari.

Ai u ndal veçanërisht te debati mbi investimet strategjike dhe çështjet e pronësisë në jug të vendit, duke pretenduar se shumë projekte kanë ngritur pikëpyetje dhe dyshime te komunitetet lokale.

Sipas Hoxhës, incidenti i ndodhur në Zvërnec, ku një protestues u përplas me punonjës të sigurisë private, ka nxjerrë në pah tensionet që ekzistojnë prej kohësh mes banorëve dhe projekteve të zhvillimit.

“Dhuna e ushtruar ndaj protestuesve është e papranueshme. Pamjet ku qytetarë tërhiqen me forcë kanë shkaktuar reagim të fortë publik”, tha ai.

Gazetari përmendi gjithashtu raste të tjera të debatueshme në bregdetin jugor, duke iu referuar çështjeve të pronësisë në zona si Palasë, Ksamil, Himarë dhe Rrjoll.

“Çdo projekt strategjik duhet të zhvillohet në përputhje me ligjin dhe interesin publik, por qytetarët kërkojnë transparencë dhe garanci për pronat e tyre”, theksoi Hoxha.

Sipas tij, debatet e fundit tregojnë nevojën për më shumë sqarime publike mbi projektet e mëdha të zhvillimit dhe mbi mënyrën se si menaxhohen pasuritë publike dhe private në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related