Deputetja e Partia Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në zonën e Zvërnecit, duke theksuar se debati nuk është i ri dhe se zgjidhja gjendet përmes një vendimmarrjeje në Kuvend.
Në një postim në rrjetet sociale, Zhupa u shpreh se Zvërneci është kthyer në simbol të rrezikut që, sipas saj, u kanoset zonave të mbrojtura në Shqipëri pas miratimit të Ligjit 21/2024.
“Zvërneci sot është simboli i një rreziku që kërcënon çdo zonë të mbrojtur në Shqipëri. Fadromat që afrohen drejt natyrës sonë nuk janë rastësi, por pasojë e drejtpërdrejtë e Ligjit 21/2024”, deklaroi ajo.
Sipas deputetes demokrate, zgjidhja më e shpejtë dhe më konkrete është miratimi në Kuvend i propozimit të saj për shfuqizimin e këtij ligji.
“Zgjidhja është e thjeshtë dhe konkrete: Kuvendi të votojë propozimin tim ligjor për shfuqizimin e Ligjit 21/2024. Me shfuqizimin e tij mbyllet rruga ligjore për grabitjen e pasurive natyrore dhe largohen fadromat nga Zvërneci dhe çdo zonë tjetër e mbrojtur”, theksoi Zhupa.
Ajo kujtoi se kundërshtimi ndaj ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura ka nisur që në vitin 2024, duke përmendur angazhimin e saj në deklarata publike, tryeza ekspertësh, interpelanca parlamentare dhe procese gjyqësore.
Deputetja shtoi se edhe Bashkimi Evropian ka kërkuar shfuqizimin e këtij ligji, ndërsa theksoi se çështja nuk lidhet vetëm me Zvërnecin, por me të ardhmen e pasurive natyrore të vendit.
“Kjo nuk është thjesht një betejë për Zvërnecin, por për Shqipërinë që duam t’u lëmë fëmijëve tanë. Është detyrimi ynë ta mbrojmë dhe t’ua dorëzojmë brezave që vijnë më të bukur dhe më të shëndetshme sesa e gjetëm”, përfundoi Zhupa.
