Rama dhe Berisha në panik, plani i Altin Dumanit për të hetuar zgjedhjet e 11 majit merr bekimin e Brukselit, ja si…

Data

Po pse Berisha dhe Rama nuk duan ndërhyrjen e SPAK për zgjedhjet e 11 majit? Plani i Altin Dumanit është që të këpusë fijet e lidhjeve mes politikës dhe grupeve kriminale. Të dy politikanët janë të vetëdijshëm se ata do të humbin shumë vota dhe hetimet në terren mund të zbulojnë më shumë sesa ata do të dëshironin. Kjo është arsyeja pse, në vend që të bashkëpunojnë me drejtësinë, ata kanë zgjedhur të sulmojnë Dumanin, në një përpjekje për ta komprometuar dhe ndaluar hetimin. Por kreu i SPAK nuk i trembet presioneve Gjatë një tryeze të organizuar nga shoqëria civile lidhur me zgjedhjet elektorale të 11 majit, Dumani deklaroi dje se askush nuk duhet të ketë frikë sa kohë është në përmbushje të detyrave. Teksa prezantoi strategjinë e parandalimit të krimeve elektorale, kreu i SPAK tha se kanë një komunikim të mirë me zyrën e prokurorit të përgjithshëm për krimin zgjedhor.

Ai shtoi se kanë rënë dakord edhe për mënyrën konkrete për trajtimin e rasteve sipas kompetencave. Sipas tij hetimi do kryhen në përputhje me ligjin dhe pa ndikim politik. “Kemi bashkëpunim shumë të mire me zyrën e prokurorit të përgjithshme për krimin zgjedhor, kemi rënë dakord duke përcaktuar edhe mënyrën konkrete për trajtimin e rasteve sipas kompetencave. Zgjedhjet lidhën pazgjidhshmerisht me shtetin e së drejtës. Hetimi do kryhen në përputhje me ligjin dhe pa ndikim politik. Krimi zgjedhor edhe ai me financimet jo formale, zgjatja e hetimeve post factum krijon mosbesim. Prandaj SPAK reflektoi me miratimin e strategjisë në përmbushje të detyrimit ligjor. Në përmbushje të rekomandimeve të Kuvendit. Strategjia është publike dhe aksesohet nga kushdo. Po të shikohet me vëmendje, kemi reflektuar shqetësime e organizatave ndërkombëtare, të OJQ por krahas saj edhe disa masa konkrete që kemi vlerësuar se do i shërbejnë hetimit në kohë reale për hetimin e krimit zgjedhor”, deklaroi Dumani.

Mbështetja e BE

Ky operacion i Dumanit i kundërshtuar nga PS-PD ka marrë “OK” e Brukselit. Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka shprehur mbështetje për krijimin e task-forcës nga SPAK. Gonzato e ka cilësuar këtë hap si një iniciativë pozitive për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërsa theksoi se problemi i blerjes së votës dhe presionit ndaj votuesve vazhdon të mbetet një shqetësim në Shqipëri. I dërguari i BE ndër të tjera shprehu miratimin për koordinimin e përpjekjeve mes institucioneve kryesore si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria e Përgjithshme, SPAK dhe Policia e Shtetit për të parandaluar krimet zgjedhore dhe për të rritur besimin në procesin zgjedhor. “Përshëndes nismën e ndërmarrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria e Përgjithshme, SPAK dhe Policia e Shtetit, për të bashkërenduar veprimet e tyre në prag të zgjedhjeve të majit, për të adresuar krimet e mundshme zgjedhore si një mënyrë për të garantuar besimin në procesin zgjedhor.

Mezi pres të dëgjoj më shumë nga këto institucione për iniciativat dhe përpjekjet e tyre koordinuese”, tha Gonzato. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e trajtimit të keqpërdorimit të burimeve administrative, një problem që kërkon më shumë vëmendje për të siguruar kushte të barabarta për të gjithë kandidatët dhe partitë politike. “Keqpërdorimi i burimeve administrative është nënvizuar gjithashtu në disa raporte të ODIHR-it si një çështje që kërkon më shumë vëmendje për të siguruar kushte të barabarta loje. Prandaj do të mirëprisja faktin që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rritur rolin e tij monitorues në këtë fushë”, theksoi ai në një tryezë të përbashkët për krimet zgjedhore me përfshirjen e institucioneve dhe aktorëve të ndryshëm politikë dhe të shoqërisë civile.

Detajet nga strategjia e SPAK

Në strategjinë e publikuar, SPAK sjell në vëmendje se legjitimiteti i zgjedhjeve është faktor themelor në ruajtjen e shtetit të së drejtës dhe integritetit të procesit të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në strategji evidentohet shqetësimi i vazhdueshëm i organizatave vendase dhe ndërkombëtare, përfshirë OSBE/ODIHR, Komisioni Evropian dhe Misioni Amerikan pranë OSBE-së, lidhur me veprat penale në kuadër të zgjedhjeve në Shqipëri. Konstatohet se konkluzionet e raporteve ndërkombëtare mbi zgjedhjet e zhvilluara në periudhën 2021-2023 evidentojnë si probleme kryesore blerjen e votave, keqpërdorimin e burimeve publike dhe presion ndaj votuesve, veçanërisht ndaj punonjësve të administratës shtetërore; cënimin e sekretit të votës dhe paanshmërinë e medias. Një tjetër problem që pritet të jetë në vëmendjen e SPAK është edhe përfshirja e krimit të organizuar në procesin zgjedhor.

Hetimet e kryera së fundmi ndaj ish-deputetit socialist, Jurgis Çyrbja ekspozuan lidhjet e thella mes krimit të organizuar dhe politikës, si dhe ndikimin e tyre në procesin zgjedhor – duke deformuar sipas ekspertëve votën e lirë dhe sistemin demokratik të vendit. Sipas SPAK, strategjia udhëhiqet nga qasja proaktive e hetimit dhe provueshmëria në kohë reale e veprave penale në kuadër të zgjedhjeve, duke synuar efekte konkrete për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe pacenueshmërinë e të drejtës së qytetarëve për të votuar në zgjedhjet parlamentare 2025. “Nga ana tjetër, kjo strategji synon të parandalojë ndikimin e krimit të organizuar në integritetin e procesit zgjedhor, përmes masave konkrete dhe përdorimit sa më efektiv të teknikave të posaçme hetimore”, thekson SPAK.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related