“Rama dhe Balluku të largohen” – Opozita zbret sot në shesh, protestë kombëtare kundër qeverisë

Data

Opozita zhvillon sot protestën kombëtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, duke e cilësuar atë si një përballje vendimtare me korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe arrogancën e pushtetit.

Protesta pritet të nisë në orën 17:00, ndërsa kërkesa kryesore e opozitës është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pas skandaleve të fundit që, sipas saj, kanë tronditur qeverinë dhe kanë ekspozuar kapjen e shtetit.

Partia Demokratike thekson se tubimi mbahet në një moment kritik, kur mazhoranca akuzohet se po bllokon drejtësinë, duke refuzuar mbledhjen e Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Sipas opozitës, kjo është një përpjekje e hapur për të mbrojtur pushtetin dhe jo ligjin.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ftuar qytetarë nga e gjithë Shqipëria të bashkohen në shesh, duke theksuar se protesta e sotme nuk është thjesht një akt politik, por një reagim qytetar për të ardhmen e vendit dhe të demokracisë.

Në deklaratat e tij, Berisha ka theksuar se protesta do të jetë paqësore dhe do t’i tregojë Europës dhe botës se shqiptarët, sipas tij, nuk pranojnë më qeverisjen e një grushti njerëzish të përfshirë në afera korruptive. Ai ka akuzuar qeverinë për shkelje masive të të drejtave të njeriut dhe për përdorimin e institucioneve të drejtësisë si instrument politik.

“Është dita e qytetarëve për lirinë, dinjitetin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë”, ka deklaruar Berisha, duke shtuar se zëri i protestës do të dëgjohet jo vetëm në Tiranë, por edhe në Bruksel.

Opozita ka bërë thirrje edhe forcave të rendit që të qëndrojnë në anën e ligjit dhe qytetarëve, duke theksuar se protesta synon largimin e asaj që e cilëson “qeveri të krimit”, përmes një kryengritjeje paqësore qytetare.

Me sloganin “Poshtë qeveria e krimit”, opozita fton çdo qytetar që kundërshton korrupsionin, frikën dhe pandëshkueshmërinë, të marrë pjesë në protestën e sotme kombëtare në orën 17:00, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related