Segmenti rrugor Qukës–Qafë Plloçë, i përuruar me ceremoni festive nga kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku më 5 shtator, u bllokua vetëm dy muaj pas inaugurimit, pasi pësoi shembje të bankinës dhe dëmtime serioze strukturore.
Rruga 43 kilometra e gjatë, e cilësuar si “rruga e florinjtë”, është një investim që ka nisur 15 vite më parë dhe që u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 260 milionë dollarë. Megjithatë, në fund të nëntorit, një masiv gurësh ra nga skarpatat anësore, ndërsa disa javë më vonë u shënua shembja e plotë e një pjese të saj pranë fshatit Gështenjas.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ia atribuoi dëmet reshjeve të dendura të shiut, por sipas një analize të BIRN, rasti i Qukës–Qafë Plloçës nuk është i izoluar. Probleme serioze janë shfaqur edhe në akse të tjera të inauguruara me bujë, si rruga Shëngjin–Velipojë, unaza e poshtme e Burrelit, Tuneli i Murrizit në rrugën e Arbrit dhe Tuneli i Llogarasë, ku u raportua infiltrimi i ujit nga tavani.
Veçanërisht Tuneli i Llogarasë dhe projekte të tjera infrastrukturore janë vënë në qendër të dyshimeve, pas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme që zbuluan manipulime tenderash dhe paracaktim të kompanive fituese, përmes ndërhyrjeve të ministres Belinda Balluku. Megjithatë, kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të saj vijon të mbahet pezull në Kuvend nga mazhoranca socialiste.
Ekspertët e infrastrukturës dhe ekonomisë i shohin shembjet dhe defektet si pasojë direkte të korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë institucionale.
Inxhinieri Xhevahir Ngjeqari thotë se rrugët nuk ndërtohen për t’u shërbyer qytetarëve, por për përfitime financiare:
“Ndërtimi nuk bëhet për të vjedhur, por për të grabitur. Projektet realizohen pa studime teknike dhe gjeologjike serioze, vetëm për të krijuar hapësira për abuzim.”
Sipas tij, shumë vepra janë projektuar me nxitim, pa kaluar në filtrat teknikë dhe pa analiza reale të terrenit, duke rrezikuar sigurinë dhe jetën e qytetarëve.
Edhe Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Studime Ekonomike, e lidh degradimin e infrastrukturës me klientelizmin në të gjithë zinxhirin e projekteve publike, nga ideimi te ndërtimi dhe supervizimi.
“Projektet shpesh bëhen pa shkelur në terren, vetëm mbi harta dixhitale. Mungojnë studimet gjeologjike dhe kontrolli real i cilësisë,” thekson ai.
Preçi shton se edhe kur përfshihen kompani të huaja në projektim, puna reale kryhet nga subjekte vendase të nënpaguara, ndërsa supervizimi kryhet shpesh në kushte konflikti interesi, duke lejuar fryrje fiktive të kostove dhe punime nën standard.
Sipas tij, një pjesë e madhe e fondeve publike për infrastrukturën nuk shkon realisht për investime, por për pasurim të paligjshëm të kompanive kliente dhe segmenteve të pushtetit politik.
“Të paktën gjysma e këtyre fondeve nuk reflektohen në ekonomi, por ushqejnë korrupsionin qeveritar,” përfundon Preçi.
Ekspertët vënë në dyshim edhe interesin publik të disa projekteve, duke i cilësuar si ekonomikisht të pajustifikuara, por të realizuara për shkak të interesave financiare që fshihen pas tyre.
