Një operacion i përbashkët mes alpinistëve, vullnetarëve, forcave RENEA dhe Forcave të Armatosura ka bërë të mundur shpëtimin e 22-vjeçarit Xhuljano Kaloti, i cili mbeti i bllokuar në ujërat e lumit Osum gjatë kërkimeve për një person të zhdukur.
Sipas njoftimit zyrtar, i riu ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, është i vetëdijshëm dhe nën kujdesin e ekipit mjekësor.
Si ndodhi ngjarja?
Burime nga zona e Skraparit bëjnë me dije se incidenti ndodhi gjatë lundrimit me kanoe, kur një prej gomoneve u përmbys për shkak të rrjedhës së fortë të lumit.
22-vjeçari mbeti i bllokuar mes shkëmbinjve në zonën e njohur si “Ngushtica e tretë”, pranë hyrjes së një shpelle.
Ndërkohë, vijon pa ndërprerje operacioni për gjetjen e 42-vjeçarit Ilir Kurti, i cili dyshohet se është marrë nga rrjedha e lumit.
Rreziku në Kanionet e Osumit
Kanionet e Osumit kanë një gjatësi rreth 12 kilometra dhe thellësi që arrin deri në 90 metra. Në periudha me prurje të larta, ndërhyrjet në terren janë jashtëzakonisht të rrezikshme, sidomos për persona të pa trajnuar për operacione shpëtimi.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ndërhyrjet individuale në zona me rrezik të lartë dhe të njoftojnë menjëherë strukturat përkatëse në raste emergjente.
