Qeveria ka miratuar rregulla të reja për trajtimin e kredive të marra me garanci shtetërore që nuk janë shlyer nga huamarrësit.
Vendimi i Këshillit të Ministrave përcakton procedurat që do të ndiqen për rikuperimin e këtyre detyrimeve dhe për trajtimin e pasurive të debitorëve që nuk kanë shlyer borxhet.
Sipas vendimit, procesi do të menaxhohet nga Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera. Procedurat nisin në momentin kur Ministria e Financave paguan garancinë shtetërore në vend të huamarrësit ndaj bankës ose kur konstatohet ekzistenca e një detyrimi të papaguar ndaj shtetit.
Pas këtij hapi, Agjencia i dërgon huamarrësit një njoftim për shlyerjen e borxhit dhe nis verifikimin e gjendjes së tij financiare, duke analizuar të ardhurat dhe mundësinë reale për pagesë.
Në rast se konstatohet se debitori ka mundësi të shlyejë detyrimin, Agjencia mund të kërkojë bllokimin e llogarive bankare dhe sekuestrimin e shumave për të rikuperuar borxhin që është paguar nga shteti.
Nëse detyrimi nuk shlyhet, çështja kalon në gjykatë dhe më pas ndiqet me procedura përmbarimore deri në shlyerjen përfundimtare të borxhit ndaj Ministrisë së Financave.
Vendimi parashikon gjithashtu që bankat e nivelit të dytë të raportojnë çdo muaj për gjendjen e kredive të mbuluara me garanci shtetërore, ndërsa Agjencia verifikon çdo kërkesë për pagesë përpara miratimit nga Ministria e Financave.
Në rast se huamarrësit vazhdojnë të mos paguajnë, pasuritë e vendosura si garanci ose edhe pasuri të tjera të debitorëve mund të kalojnë në pronësi të Agjencisë përmes procedurave përmbarimore.
Këto pasuri më pas mund të administrohen nga Agjencia dhe të shiten përmes ankandit publik, ndërsa të ardhurat e mbledhura kalojnë në buxhetin e shtetit për të mbuluar detyrimet.
Vendimi shfuqizon gjithashtu një vendim të vitit 2009 që rregullonte trajtimin e kredive të transferuara nga bankat shtetërore te Agjencia e Trajtimit të Kredive. Zbatimi i tij do të kryhet nga Ministria e Financave dhe Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera.
