Shqetësimet e disa pensionistëve për mosmarrjen e bonusit në muajin shkurt kanë marrë një sqarim nga ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi, e cila thotë se në këto raste duhet të bëhet një ankesë përmes platformës e-Albania.
Sipas saj, nuk ka arsye ekonomike që një pensionist ta marrë bonusin në një muaj dhe të mos e marrë në muajin pasardhës, pasi gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur indeksim të pensioneve.
“Nëse një pensionist e ka marrë bonusin në janar, nuk ka arsye që të mos e marrë në shkurt. Nëse kjo ka ndodhur, atëherë duhet bërë një ankesë përmes e-Albania për ta korrigjuar situatën”, u shpreh ekspertja.
Radonshiqi theksoi se ka pasur raste kur pensionistët që kanë bërë kërkesë kanë arritur të marrin edhe pagesat e prapambetura.
Sipas saj, disa pensionistë që nuk e kishin marrë bonusin për disa muaj kanë përfituar më pas pagesën për janarin, shkurtin dhe marsin, pasi Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka korrigjuar gabimet në sistem.
Ekspertja sqaroi gjithashtu një keqkuptim që mund të kenë pasur pensionistët lidhur me bonusin prej 8 mijë lekësh.
Sipas saj, kjo rritje është një shumë fikse që shtohet në pension dhe nuk rritet çdo muaj.
“Nëse një pensionist ka marrë në janar 208 mijë lekë, atëherë do të marrë të njëjtën shumë çdo muaj deri në fund të vitit. Nuk është një shumë që shtohet çdo muaj”, shpjegoi ajo.
Nga ana tjetër, qeveria ka transferuar rreth 167 milionë euro nga fondet e pashpenzuara të buxhetit të vitit 2025 në Fondin e Veçantë të Pensioneve, me qëllim përforcimin e qëndrueshmërisë financiare të skemës së pensioneve.
Ekspertët e ekonomisë theksojnë se kjo ndërhyrje synon të mbështesë sistemin në një kohë kur numri i pensionistëve po rritet dhe skema e pensioneve përballet me presione financiare gjithnjë e më të mëdha.
