Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim një pjesë të dosjes 277/1 që lidhet me aferën e inceneratorit të Elbasanit.
Në këtë çështje, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj akuzohet për tre vepra penale: korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Së bashku me të, për këtë dosje janë dërguar në gjykim edhe nëntë persona të tjerë.
Sipas organit të akuzës, Ahmetaj dyshohet se ka bashkëpunuar me biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto për të marrë favore dhe për të siguruar miratimin e projektit të inceneratorit të Elbasanit.
Një nga rastet e korrupsionit që përmendet nga SPAK lidhet me udhëtimet dhe akomodimet jashtë vendit të Ahmetajt dhe bashkëshortes së tij, të cilat sipas hetimeve janë paguar me kartën bankare të biznesmenit Klodian Zoto në vende të ndryshme të Austrisë dhe Italisë. Pesë raste të tjera të dyshuara për korrupsion mbahen ende sekret nga prokuroria.
Për sa i përket fshehjes së pasurisë, prokurorët e posaçëm e lidhin Ahmetajn me dy vila në bregdet, një në Palasë në emër të ish-bashkëshortes dhe një tjetër në Hamallaj.
Hetimet përfshijnë gjithashtu bashkëjetuesen aktuale të Ahmetajt, Erjola Hoxha, dhe ish-bashkëshorten e tij Albina Mançka, të cilat akuzohen për pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Mes personave të tjerë të akuzuar janë Andi Boni, Helidon Begaj, Gerian Kuka, Sonila Meqemeja dhe Elda Dinaj. Sipas SPAK, disa prej tyre dyshohet se kanë ndihmuar në skema të shitblerjeve fiktive të pronave dhe apartamenteve për të fshehur përfitimet financiare.
Prokuroria pretendon se një vilë në një kompleks në Palasë është regjistruar në emër të Elda Dinaj, por dyshohet se pronari real është ish-zëvendëskryeministri. Ndërsa vila në Hamallaj, sipas hetimeve, është përfituar përmes transaksioneve të dyshimta të kryera nga kompani dhe individë të ndryshëm.
Dosja ndaj Ahmetajt është një fraksion i procedimit kryesor për inceneratorin e Elbasanit dhe është hetuar nga prokurorët e posaçëm Altin Dumani, Enkeleda Millonai dhe Bledar Maksuti.
Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar që nga korriku i vitit 2023, ndërsa SPAK ka sekuestruar disa prona të tij dhe të familjarëve. Ai po përballet gjithashtu me një proces tjetër gjyqësor në Gjykatën e Posaçme për akuzën e shpërdorimit të detyrës në dosjen e njohur si “Buka sha”.
