Protestuesja apel Presidentit dhe Gjykatës Kushtetuese: Të mbrojnë Kushtetutën dhe të veprojnë sipas ligjit

Data

Protesta e 39-të kundër qeverisë në Tiranë është shoqëruar me thirrje të qytetarëve drejtuar institucioneve më të larta të shtetit, ndërsa pjesëmarrësit kanë kërkuar sërish ndryshime politike dhe respektimin e shtetit të së drejtës.

Një nga protestueset deklaroi se pjesëmarrja në protestë i ka dhënë kurajë për të mos pasur frikë dhe u bëri thirrje Presidentit të Republikës dhe Gjykatës Kushtetuese të ushtrojnë kompetencat e tyre në mbrojtje të Kushtetutës.

“Kjo protestë më mësoi t’i them frikës stop,” u shpreh ajo.

Sipas saj, thirrjet drejtuar kryeministrit nuk kanë sjellë rezultat, ndaj përgjegjësia tashmë, sipas protestueses, u takon institucioneve kushtetuese.

“Dua t’u bëj një thirrje Presidentit dhe Gjykatës Kushtetuese. Ramës i kemi bërë boll thirrje dhe nuk është përgjigjur. Për çfarë janë Presidenti dhe GJK, për të mbrojtur Kushtetutën apo për ta hedhur poshtë?” deklaroi ajo.

Protestuesja komentoi edhe ndalimet e disa pjesëmarrësve në protestat e fundit, duke shprehur kundërshtimin e saj ndaj veprimeve të autoriteteve.

“Në vend që të arrestohet Rama, arrestuan protestuesit dhe i mbajtën nën arrest 72 orë. Presidenti dhe GJK të marrin masa, sepse janë për mbrojtjen e kombit,” tha ajo.

Protesta vijon me marshimin e qytetarëve drejt godinës së Kryeministrisë, ku pjesëmarrësit po kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, krijimin e një qeverie teknike tranzitore dhe reforma në sistemin politik.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related