Aksi nacional Librazhd–Përrenjas vijon të jetë i bllokuar për të dytën ditë radhazi, pas rrëshqitjes së dheut në fshatin Dragostunjë, ku një pjesë e rrugës u përpinë nga masivi i tokës.
Ngjarja ka shkaktuar dëme të mëdha, duke prekur jo vetëm segmentin rrugor, por edhe linjën hekurudhore, linjat elektrike dhe ato të tensionit të lartë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë të ditur se po punohet intensivisht për hapjen e një bypass-i provizor, i cili pritet të mundësojë rikthimin e qarkullimit mesditën e së hënës, nëse kushtet e terrenit e lejojnë.
Ndërkohë, qindra qytetarë, përfshirë studentë, janë detyruar ta përshkojnë në këmbë segmentin e dëmtuar, ndërsa të tjerë po përballen me kosto të larta transporti alternativ.
Pas publikimit të pamjeve që tregojnë ndërhyrje në lumin Shkumbin, Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetim kryesisht për të verifikuar respektimin e kritereve të lejeve mjedisore përgjatë rrjedhës së lumit, në kuadër të punimeve për ndërtimin e aksit Peqin–Qukës.
