Protesta e 39-të kundër qeverisë është shoqëruar me forma simbolike të reagimit nga qytetarët, të cilët kanë vijuar të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e modelit të qeverisjes.
Një prej protestuesve, pensionist, u shfaq me një “karton të kuq”, të cilin tha se ia dedikonte kryeministrit si simbol i largimit të tij nga drejtimi i vendit.
“Protestojmë për një mijë e një të zezat e Ramës. Kemi vendosur t’i japim një karton të kuq Edi Ramës. Është i përjashtuar për të mos luajtur më kurrë për Shqipërinë. Është i dënuar prej popullit shqiptar, prej Europës dhe gjithë botës,” u shpreh ai.
Qytetari foli edhe për vështirësitë ekonomike me të cilat, sipas tij, përballen pensionistët, duke theksuar se të ardhurat nuk mjaftojnë për të përballuar shpenzimet bazë.
“Pensionistët shqiptarë janë të lodhur dhe të frikësuar. Paratë e pensionit nuk na dalin as për ilaçe,” deklaroi protestuesi.
Në fjalën e tij, ai ngriti edhe akuza politike ndaj qeverisë, duke iu referuar shpenzimeve që, sipas tij, lidhen me zyrtarë të lartë, ndërsa bëri thirrje për zbatimin simbolik të “kartonit të kuq” si shenjë e largimit të kryeministrit nga pushteti.
Protesta vijon me marshimin e qytetarëve drejt godinës së Kryeministrisë, ku pjesëmarrësit kanë ritheksuar kërkesat për dorëheqjen e qeverisë, krijimin e një qeverie teknike tranzitore dhe reforma politike.
