Protesta e qytetarëve është zhvendosur nga Kuvendi drejt Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, ku pjesëmarrësit kërkojnë lirimin e gjashtë personave të shoqëruar pas tensioneve të regjistruara gjatë tubimit të paradites.
Prej orës 10:00, protestuesit u mblodhën fillimisht përpara Kuvendit, ndërsa gjatë zhvillimit të seancës plenare situata u tensionua, duke çuar në shoqërimin e disa aktivistëve, mes tyre edhe Dritan Goxhaj. Pas këtyre zhvillimeve, protesta u zhvendos përpara godinës së Policisë së Tiranës.
Me thirrjet “Lironi çunat tanë”, protestuesit deklaruan se nuk do të largohen nga zona derisa të lirohen të gjithë të shoqëruarit. Ata kanë bllokuar rrugën pranë drejtorisë së policisë dhe vijojnë qëndrimin e tyre në shenjë solidariteti.
Aktivisti Arben Kola tha se protesta e sotme ndryshoi skenar për shkak të zhvillimeve të paradites dhe se organizatorët do të vendosin në vijim mbi hapat e mëtejshëm.
“Nuk e dimë nëse do të rrethohet Policia e Tiranës apo Kryeministria. Kjo do të vendoset nga organizatorët, por ne nuk do të largohemi prej këtu derisa të lirohen të shoqëruarit. Mes tyre është edhe Dritan Goxhaj, si dhe pesë protestues të tjerë”, u shpreh ai.
Sipas organizatorëve, protesta pritet të vijojë deri në orën 19:00, ndërsa më pas do të merret një vendim për vazhdimin e saj.
Gjatë tubimit janë dëgjuar edhe thirrje të tjera, si: “Rama jep dorëheqjen”, “Rama në burg”, “Arrestoni Ballukun”, “Revolucion”, “Parlament i krimit” dhe “Polici e krimit”.
