Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar akuzat politike ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale.
Në deklaratat e tij, Berisha pretendoi se Rama është “i plagosur politikisht”, ndërsa akuzoi Ballukun se vijon të ushtrojë ndikim të fortë brenda qeverisë dhe Partisë Socialiste.
“Balluku si kryeministër në hije, vendimmarrëse kryesore në partinë e krimit,” deklaroi Sali Berisha.
Ai pretendoi gjithashtu se Belinda Balluku vazhdon të ketë ndikim në ministritë dhe agjencitë që ka drejtuar më parë, ndërsa e cilësoi atë si “tmerr për deputetët dhe drejtuesit e PS-së”.
Gjatë deklaratës së tij, Berisha përmendi edhe emrin e Oltion Bistri, duke pretenduar se ai është rikthyer në struktura të lidhura me organizimin kriminal, pa ofruar prova konkrete për këtë akuzë.
Kreu i PD-së tha se opozita do të vijojë protestat dhe “kryengritjet paqësore” kundër qeverisë së Edi Rama.
“Do të vazhdojmë kryengritjet paqësore, deri në largimin e Ramës,” u shpreh ai.
Deri më tani nuk ka reagim publik nga Edi Rama apo Belinda Balluku lidhur me deklaratat e bëra nga kreu i opozitës.
