Protesta e opozitës në Tiranë ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, të cilat kanë raportuar mbi përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit, si dhe mbi klimën e tensionuar politike në vend.
Media të njohura si ABC, WION, TRT World, APT News, NDTV dhe The Mirror kanë pasqyruar zhvillimet, duke theksuar akuzat e opozitës për korrupsion dhe kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Raportimet ndërkombëtare vënë në dukje se protestat u shoqëruan me tensione dhe akte dhune, përfshirë hedhjen e molotovëve nga një pjesë e protestuesve dhe ndërhyrjen e policisë me ujë, sprej irritues dhe forcë fizike për shpërndarjen e turmës.
TRT World dhe WION theksuan përplasjet dhe kërkesat politike të opozitës, ndërsa NDTV e lidhi situatën me ndikimin e mundshëm në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Nga ana tjetër, The Mirror publikoi pamje nga përleshjet, duke përshkruar një përshkallëzim të mprehtë të situatës, ndërsa raportimet e APT News dhe Anadolu Agency evidentuan përdorimin e forcës dhe praninë e liderit të opozitës Sali Berisha në protestë.
Ngjarjet kanë nxitur diskutime më të gjera për mënyrën e menaxhimit të protestave dhe respektimin e të drejtës për tubim paqësor, ndërsa vëmendja ndërkombëtare pritet të vijojë mbi zhvillimet politike në Shqipëri.
