Festa e Krishtlindjeve ka sjellë një rritje të ndjeshme të lëvizjeve në pikën kufitare të Kakavijës, ku emigrantët shqiptarë po kthehen në atdhe për të festuar fundvitin me familjet e tyre. Si pasojë e fluksit të shtuar, janë krijuar radhë të gjata automjetesh, kryesisht në territorin grek.
Gjatë ditës së djeshme, deri në orët e vona të mbrëmjes, në secilën korsi u formuan kolona makinash që shtriheshin deri në dy kilometra. Vonesat janë shkaktuar kryesisht nga funksionimi me kapacitet të reduktuar i sporteleve nga pala greke, çka ka ngadalësuar përpunimin e mjeteve dhe udhëtarëve.
Edhe mëngjesi i sotëm ka nisur me fluks të lartë hyrje-daljesh. Autoritetet raportojnë se pala greke vijon punën me një numër të kufizuar sportelesh, ndërsa pala shqiptare operon me katër sportele në hyrje dhe tre në dalje, duke u përpjekur të përballojë sa më shpejt fluksin.
Sipas të dhënave zyrtare nga pika kufitare e Kakavijës, vetëm gjatë datës 24 dhjetor 2025 janë përpunuar gjithsej 10 508 shtetas, prej të cilëve 8 189 në hyrje dhe 2 319 në dalje. Po ashtu janë regjistruar 3 219 mjete, me 2 472 në hyrje dhe 747 në dalje.
Autoritetet kufitare u bëjnë thirrje qytetarëve që të tregojnë durim, të planifikojnë udhëtimet paraprakisht dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit, pasi fluksi i lartë pritet të vijojë edhe në ditët në vijim për shkak të festave të fundvitit.
