Qeveria ka propozuar ndryshime në ligjin “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”, me qëllim zgjerimin e aksesit të qytetarëve në drejtësi dhe thjeshtimin e procedurave për përfitimin e shërbimeve juridike falas.
Projektligji parashikon shtimin e kategorive që mund të përfitojnë ndihmë juridike pavarësisht nivelit të të ardhurave. Për herë të parë pritet të përfshihen viktimat e krimit dhe terrorizmit, personat që kërkojnë njohjen e statusit të aftësisë së kufizuar, përfituesit e pensionit social dhe të skemave të tjera të mbrojtjes sociale.
Në listën e përfituesve përfshihen gjithashtu pjesëtarët e komuniteteve rom dhe egjiptian për çështje që lidhen me dokumentacionin civil, si dhe sinjalizuesit që raportojnë shkelje të legjislacionit të Bashkimit Evropian. Mbrojtja pritet të zgjerohet edhe për viktimat e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Një tjetër ndryshim lidhet me thjeshtimin e procedurës për ndihmën juridike parësore. Qytetarëve do t’u kërkohet të paraqesin vetëm një dokument identifikimi dhe një vetëdeklarim, ndërsa dokumente shtesë do të kërkohen vetëm kur ekzistojnë dyshime të arsyeshme mbi saktësinë e deklarimeve.
Projektligji parashikon procedura të përshpejtuara për rastet emergjente. Viktimat e dhunës, trafikimit, terrorizmit dhe kategori të tjera vulnerabël do të mund të përfitojnë menjëherë një avokat të caktuar nga gjykata ose organi procedues.
Gjithashtu synohet që, kur është e mundur, i njëjti avokat ta përfaqësojë përfituesin gjatë të gjitha procedurave të lidhura civile, penale dhe administrative.
Ndryshimet zgjerojnë edhe listën e shpenzimeve që do të mbulohen nga shteti gjatë proceseve gjyqësore dhe ekzekutimit të vendimeve. Në to mund të përfshihen tarifat e ekspertëve, kur pjesëmarrja e tyre është e detyrueshme, si dhe disa shpenzime kadastrale dhe noteriale.
Njësitë e vetëqeverisjes vendore pritet të kenë një rol më aktiv në informimin dhe orientimin e qytetarëve, si dhe në koordinimin me shërbimet sociale për përfitimin e ndihmës juridike falas.
