Kërcënimi rus ndryshon planet e Gjermanisë, Berlini kërkon të vazhdojë blerjen e armëve amerikane

Data

Gjermania duhet të vijojë blerjen e armëve dhe avionëve luftarakë nga Shtetet e Bashkuara për të përballuar kërcënimin e menjëhershëm nga Rusia, edhe pse Bashkimi Evropian po përpiqet të forcojë industrinë e vet të mbrojtjes.

Shefi i Forcave Ajrore gjermane, gjenerallejtënant Holger Neumann, deklaroi për Politico se NATO duhet të jetë gati sa më shpejt dhe se, për këtë arsye, mund të jetë e nevojshme blerja e sistemeve që janë tashmë të disponueshme në treg.

Sipas tij, këto pajisje mund të mos përmbushin çdo kërkesë të Gjermanisë, por në kushtet aktuale mund të jenë alternativa më e mirë për vitet e ardhshme.

“Zhvillimi i aftësive tona kërkon kohë. Tani për tani, nuk kemi kohë”, u shpreh Neumann.

Deklaratat vijnë në një moment kur Bashkimi Evropian po nxit shtetet anëtare që të drejtojnë më shumë shpenzime ushtarake drejt prodhuesve evropianë, me synimin për të zvogëluar varësinë nga kompanitë amerikane.

BE-ja ka krijuar instrumente të reja financimi për blerjen e përbashkët të pajisjeve ushtarake dhe forcimin e industrisë së mbrojtjes. Rregullat e reja parashikojnë që pjesëmarrja e vendeve jashtë bllokut, përfshirë SHBA-në, të mos kalojë 35 për qind të vlerës së projekteve të financuara nga fondet evropiane.

Megjithatë, sipas Neumann, forcimi i kapaciteteve industriale të Evropës është një proces afatgjatë, ndërsa nevojat e ushtrive evropiane janë të menjëhershme.

Ai vlerësoi aftësitë e industrisë evropiane, por pranoi se ajo nuk ka zhvilluar teknologjitë më të avancuara me të njëjtin ritëm si Shtetet e Bashkuara.

Për këtë arsye, Berlini synon të përdorë blerjet nga SHBA-ja si një zgjidhje të përkohshme për forcimin e menjëhershëm të mbrojtjes, pa hequr dorë nga projektet afatgjata evropiane.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related