Aktivisti Visuar Dalipi: Jam kërcënuar edhe me fëmijën tim 1-vjeçar, protesta do të vijojë paqësisht

Data

Aktivisti dhe një nga organizatorët e protestave qytetare, Visuar Dalipi, i njohur si “Banka e fundit”, deklaroi se ka marrë kërcënime personale që prej nisjes së protestave, duke pretenduar se është intimiduar edhe përmes familjes së tij.

Në një intervistë televizive, Dalipi tha se është kërcënuar edhe me fëmijën e tij 1-vjeçar dhe se, për arsye sigurie, prej rreth një muaji e ka mbajtur larg.

“Kam marrë kërcënime edhe për fëmijën tim, që është vetëm një vjeç. Kam një muaj pa e parë sepse e kam larguar. Nuk e kam bërë publike më parë sepse nuk kam dashur të përhap panik. Më kanë ardhur edhe te lagjja, pranë shtëpisë,” u shpreh ai.

Dalipi deklaroi se organizatorët kanë punuar për ta mbajtur protestën paqësore, duke krijuar një grup koordinues dhe duke ndërhyrë për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

Sipas tij, gjatë tubimeve janë larguar persona që mbanin flakadanë ose sende që mund të përdoreshin për dhunë, ndërsa është krijuar edhe një kordon pranë Kryeministrisë për të ruajtur karakterin paqësor të protestës.

Ai u distancua nga aktet e dhunës të regjistruara gjatë protestave dhe pretendoi se incidente të tilla nuk përfaqësojnë organizatorët apo pjesëmarrësit.

“Në protestë kemi bërë vazhdimisht thirrje kundër dhunës. Ne jemi për një protestë paqësore dhe nuk mbështesim asnjë akt dhune,” tha Dalipi.

Aktivisti ngriti gjithashtu pretendime se ka pasur tentativa për të provokuar protestuesit dhe për të dëmtuar imazhin e protestës, duke akuzuar qeverinë se nxit incidente për të delegjitimuar lëvizjen qytetare. Këto pretendime nuk janë konfirmuar nga autoritetet dhe deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar lidhur me deklaratat e tij.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related