Prej orës 07:00 të mëngjesit deri në orën 19:00 të mbrëmjes, sipas kohës lokale në secilin shtet, diaspora e Kosovës po voton në përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Votimi fizik në ambasada dhe konsullata është mundësuar për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti, ndërsa në proceset e mëparshme diaspora kishte mundësi të votonte vetëm përmes postës.
Procesi po zhvillohet në gjithsej 40 vendvotime, të cilat funksionojnë në 16 ambasada dhe 13 konsullata të Kosovës, të shpërndara në 18 shtete të ndryshme të botës.
Vendvotimet janë të organizuara si më poshtë: gjashtë në Gjermani, tre në Zvicër, dy në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dy në Kanada, dy në Itali, dy në Francë, dhe nga një vendvotim në Mbretërinë e Bashkuar, Belgjikë, Suedi, Austri, Norvegji, Slloveni, Danimarkë, Turqi, Kroaci, Holandë, Hungari dhe Çeki.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje rezultoi forca e parë politike nga votat e hedhura në përfaqësitë diplomatike. Megjithatë, 42 për qind e votave të siguruara nga diaspora nuk ishin të mjaftueshme për ta mundësuar qeverisjen e vetme të kësaj partie.
Pas një periudhe të gjatë bllokimi institucional, me Kuvend jofunksional dhe dështimit të dy përpjekjeve për formimin e qeverisë së re, data 28 dhjetor u caktua për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Sipas të dhënave zyrtare, për votim në përfaqësitë diplomatike janë regjistruar gjithsej 19.187 qytetarë, nga mbi dy milionë shtetas me të drejtë vote. Ndërsa numri total i diasporës së regjistruar për të votuar në këto zgjedhje, përfshirë edhe votimin përmes postës, është mbi 77 mijë persona.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se për procesin e votimit do të pranohen edhe dokumentet identifikuese me afat të skaduar. Megjithatë, qytetarët e regjistruar për votim nga diaspora nuk do të kenë të drejtë të votojnë fizikisht në Kosovë më 28 dhjetor, pasi emrat e tyre janë hequr nga listat zgjedhore brenda vendit.
