Alesia Balliu ka komentuar protestën që vijon prej më shumë se 40 ditësh, duke e cilësuar atë si pasojë të mungesës së një opozite funksionale në vend.
Sipas saj, Partia Demokratike nuk ka më kapacitetin për të mobilizuar qytetarët, ndërsa protestuesit janë mbledhur për të ngritur shqetësime që lidhen me arsimin, shëndetësinë dhe probleme të tjera të jetës së përditshme.
“PD nuk i ka kapacitetet për të mbledhur njerëzit, sepse drejtohet nga një person që është i urryer nga populli shqiptar. Protestuesit kanë dalë aty sepse vendi nuk ka opozitë”, deklaroi Balliu.
Ajo pretendoi se qytetarët e pranishëm në shesh nuk kundërshtojnë vetëm qeverinë, por kërkojnë edhe largimin e Sali Berishës nga politika.
“Në mungesë të një opozite të vërtetë, qytetarët kanë dalë vetë në shesh. Dikush proteston për arsimin, dikush për shëndetësinë. Kjo protestë kërkon largimin e Sali Berishës nga politika”, u shpreh ajo.
Balliu shtoi se protesta e ka zbehur rolin e Partisë Demokratike dhe të kryetarit të saj, duke i cilësuar vetë protestuesit si “opozita e vërtetë”.
“Protesta e ka sfumuar opozitën. Mungesa e opozitës solli këtë protestë. Protestuesit janë opozita e vërtetë. Sot sheshi nuk është më i Sali Berishës”, deklaroi Balliu gjatë një interviste televizive.
