Procesi i integrimit / Rama: Ligjet e reja në filtër, pritet shtim i seancave parlamentare

Data

Kryeministri Edi Rama deklaroi se procesi i negociatave me Bashkimin Europian do të sjellë një ngarkesë pune të paprecedentë për Kuvendin e Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama theksoi se ky proces kërkon një fokus të ri dhe më të përqendruar në miratimin e ligjeve të reja, të cilat do të kalojnë në filtër si pjesë e përafrimit me legjislacionin europian.

Kreu i qeverisë la të hapur mundësinë e shtimit të seancave parlamentare, përfshirë edhe seanca të posaçme të dedikuara vetëm për integrimin europian, duke nënvizuar rëndësinë e angazhimit maksimal të deputetëve.

“Ky vit dhe viti i ardhshëm do të kenë një ngarkesë si asnjëherë më parë në Parlamentin e Shqipërisë. Numri i ligjeve që do të kalojnë në filtër do të jetë më i lartë se kurrë për shkak të procesit të negociatave. Duhet të jemi sa më cilësorë në këtë proces. Kjo kërkon shtim të angazhimit, por edhe të numrit të seancave. Mund të konsiderohet shtimi në kalendar i seancave të posaçme vetëm për integrimin”, u shpreh Rama.

Sipas tij, përballë këtij procesi kërkohet përqendrim i lartë dhe pjesëmarrje aktive e të gjithë deputetëve, në mënyrë që Kuvendi të përballojë me sukses sfidat e integrimit europian.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related