Përgjimet zbulojnë pazaret për Thumanë–Kashar: Balluku takime me oligarkun e Berishës, si i tregonte Berberit se do ta bënte “ushtar” të saj

Data

Një nga episodet më të rënda që po hetohet nga Prokuroria e Posaçme dhe që përfshihet në dosjen e dorëzuar në Kuvend për arrestimin e Belinda Ballukut lidhet me koncesionin e autostradës Thumanë–Kashar. Një çështje për të cilën opozita dhe ish-kryeministri Sali Berisha kanë zgjedhur të heshtin, pavarësisht se bëhet fjalë për një biznesmen të lidhur ngushtë me ta.

Koncesioni me vlerë mbi 245 milionë euro është fituar nga Bashkim Ulaj, pronar i kompanisë “Gener 2”, biznesmen i konsideruar financues historik i familjes Berisha. Sipas përgjimeve të administruara nga SPAK, Belinda Balluku ka zhvilluar takime direkte me Ulajn, ndërsa më pas ka informuar vartësin e saj, ish-drejtorin e ARRSH-së Evis Berberi, për marrëveshjet e arritura.

Në një bisedë të datës 15 qershor 2021, vetëm një ditë pas takimit me Ulajn, Balluku shprehet se po i bënte “nderin e jetës” me koncesionin Thumanë–Kashar dhe se biznesmeni “mund të bëhet ushtar”, pasi ishte “i izoluar dhe i pashpresë”.

Nga aktet e dosjes rezulton se në atë periudhë koncesioni i Ulajt ishte i bllokuar. Edhe pse kompania kishte fituar partneritetin që në vitin 2018, zbatimi ishte pezulluar pas skandalit të “DH Albania” dhe Unazës së Madhe, ku Ulaj rezultonte i përfshirë përmes një familjari.

Vetëm pak muaj pas kësaj bisede, situata ndryshon. Më 24 dhjetor 2021 nënshkruhet marrëveshja për zgjidhjen e konfliktit mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe kompanisë së Ulajt. Më 9 maj 2022 lidhet kontrata përfundimtare e koncesionit 245.7 milionë euro mes ministrisë së drejtuar nga Balluku dhe kompanisë “Gener 2”, e cila krijon shoqërinë koncesionare “G2 Infra”.

SPAK e konsideron këtë koncesion pjesë të 11 procedurave që po hetohen në dosjen ndaj zv/kryeministres. Kontrata 35-vjeçare i garanton kompanisë private të ardhura që, sipas projeksioneve, kapin mbi 1 miliard euro nga tarifat e kalimit që paguajnë qytetarët.

Autostrada Thumanë–Kashar është aksi i dytë në Shqipëri me pagesë pas Rrugës së Kombit. Tarifat variojnë sipas kategorisë së mjeteve dhe mund të rriten çdo vit në varësi të kursit të këmbimit euro–lekë. Ndërkohë, mirëmbajtja dhe cilësia e rrugës kanë ngritur shqetësime, pasi gjendja e saj në terren lë për të dëshiruar.

Takimet me Ramë Gecin

Në të njëjtën dosje hetimore dalin edhe komunikime të tjera komprometuese. Belinda Balluku i shkruan Evis Berberit se, me kërkesë të kryeministrit, ka zhvilluar një takim me biznesmenin Ramë Geci. Pas këtij takimi, kompania e Gecit rezulton fituese e një tenderi publik për ndërtimin e rrugës Porto Romano–Durrës, Loti 3.

Nga verifikimet e SPAK rezulton se Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur procedurën e prokurimit në shtator 2021 dhe në nëntor të po atij viti është kualifikuar si fituese shoqëria “Geci” sh.p.k., e cila ka si ortak dhe administrator të vetëm Ramë Gecin. Më pas është lidhur kontrata për ndërtimin e rrugës.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, këto komunikime dhe veprime përforcojnë dyshimet për ndikim të drejtpërdrejtë politik në procedurat e prokurimit dhe për paracaktim të fituesve, elementë që përbëjnë thelbin e akuzave ndaj Belinda Ballukut.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related