Kurti dhe Vuçiç takohen me Kallas, ja kërkesat e Kosovës dhe Serbisë

Data

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, pas takimeve të ndara me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se e ka përshëndetur gatishmërinë e tyre për bashkëpunim të plotë në lidhje me sulmin terrorist në Ibër-Lepenc, që autorët të dalin para drejtësisë. Këto komente, Kallas, e cila për herë të parë takoi Kurtin e Vuçiç-in në cilësinë e shefes së diplomacisë evropiane, i ka bërë përmes një postimi në platformën X, të martën, derisa ka folur edhe për domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes Bazike (Bruksel më 27 shkurt, Ohër më 18 mars 2023). “Anëtarësimi në BE mund të arrihet vetëm përmes normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, duke u bazuar në Marrëveshjen e Ohrit. E përshëndeta gatishmërinë e tyre për bashkëpunim të plotë pas sulmit të fundit terrorist.

Autorët duhet të dalin para drejtësisë”, shkroi kryediplomatja evropiane. Duke folur për takimin me Kallas-in, kryeministri Kurti, në një prononcim për media nga Brukseli, ka bërë të ditur se i ka kërkuar asaj që Serbia ta dorëzojë kryekriminelin Milan Radojiçiç – personi i cili mori përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit, më 24 shtator 2023. “Në takim diskutuam çështjet e progresit të Kosovës sa i përket integrimeve evropiane, por edhe raportet me fqinjin tonë verior. Kryekrimineli i bandës që kreu këtë mbahet i lirë dhe mbështetet nga Serbia. Ne kërkuam, si në çdo takim tjetër, dorëzimin e Radoiçiç-it tek autoritetet e Kosovës pasi Prokuroria tani ka aktakuzë prej 160 faqesh dhe grupin e tij prej mbi 40 personave”, ka thënë Kurti. Ai ka vlerësuar se Kallas është në “kohën e duhur” dhe në “vendin e duhur”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related