Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Guardia di Finanza, ka nisur zyrtarisht fushatën e përbashkët për monitorimin ajror të territorit shqiptar në kuadër të luftës kundër kultivimit të lëndëve narkotike.
Operacioni zhvillohet për të 15-in vit radhazi dhe synon parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në të gjithë territorin e vendit.
Ceremonia e hapjes u zhvillua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku delegacioni italian u prit nga drejtori i përgjithshëm i Policisë, Skender Hita. Delegacioni i Guardia di Finanza drejtohej nga Lorenzo Bucossi, drejtues i Shërbimit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Policisë.
Sipas Policisë së Shtetit, fushata “Për monitorimin ajror 2026” sjell disa risi krahasuar me vitet e mëparshme, duke përfshirë:
- rritjen e numrit të fluturimeve;
- shtimin e orëve të monitorimit;
- angazhimin e më shumë personelit;
- përdorimin e teknologjive më të avancuara për kontrollin ajror.
Në fjalën e tij, drejtori Hita theksoi se lufta kundër narkotikëve mbetet një prioritet për sigurinë dhe të ardhmen e vendit.
“Lufta kundër narkotikëve është edhe një betejë kundër dëmtimit të së ardhmes së shoqërisë sonë”, deklaroi ai.
Sipas Hitës, bashkëpunimi me autoritetet italiane ka dhënë rezultate konkrete në identifikimin e hershëm të zonave me risk dhe në uljen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi italian Lorenzo Bucossi e cilësoi këtë partneritet si një model të suksesshëm bashkëpunimi policor ndërkombëtar dhe shprehu gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm të koordinimit mes dy vendeve.
Gjeneral Brigade Franzese vlerësoi gjithashtu reagimin e shpejtë të Policisë shqiptare në verifikimin e koordinatave të raportuara nga Guardia di Finanza dhe ndërhyrjet për asgjësimin e rasteve të kultivimit të drogës.
